Erblira Bici, 27 pikë në fitoren e radhës

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Volebjollistja shqiptare, Erblira Bici, vijon të spikasë në parketin italian dhe të mërkurën, ajo ka arritur një tjetër gur kilometrik. 26-vjeçarja ka realizuar plot 27 pikë në fitoren 3-2 që skuadra e saj, Futura Volej Xhovani Busto Arsizio arriti në fushën e Ipag Montekios. Ky ishte takimi i dytë i betejës për ngjitjen në nivelin më të lartë të volejbollit italian të femrave, në Serinë A1, teksa skuadra e kapitenes së Kombëtares kuqezi e ka mbyllur gjithçka brenda dy ndeshjesh, duke u kualifikuar për në çerekfinale të këtij “play-off”-i.

Skuadra e Bicit e kishte fituar në 3 sete takimin e parë në shtëpi, duke vijuar të mbizotërojë edhe në takimin e kthimit, aty ku i ka fituar dy setet e para me të njëjtat shifra, 25-23. Por skuadra vendase nuk ka pranuar të dorëzohet lehtë dhe, duke përfituar edhe nga një nënvlerësim i ekipit të shqiptares, ka vijuar të barazojë gjendjen e seteve në 2-2, duke marrë të 3-tin dhe të 4-tin, përkatisht 26-24 dhe 25-17. Seti i 5-të ka qenë i luftuar, me vendaset që kanë kërkuar ta fitojnë atë, për ta çuar atë në duelin e 3-të dhe me skuadrën mike që ka kërkuar ta mbyllë gjithçka në dy ndeshje.

Dhe skuadra e volejbollistes 1 m e 86 cm të lartë ia  ka dalë, duke e marrë setin e 5-të 15-13 dhe gjithë ndeshjen 3-2 me sete dhe, bashkë me të, edhe vendin në çerekfinale të këtij “play-off”-i, ku do të ndeshet me skuadrën e CDA Talmasons në dy ndeshje në 10-ditëshin e fundit të prillit. Në takimin e së mërkurës, Bici shënoi 27 pikë nga 86 pikët që shënoi gjithsej skuadra e saj, teksa 20 pikë të tjera erdhën nga gabimet e kundërshtareve.

Futura Volej Xhovani Busto Arsizio e mbylli sezonin e rregullt të grupit të parë të Serisë A2 në vendin e 4-t të renditjes, me 38 pikë, pas 12 fitoreve dhe 8 humbjeve. Duhet theksuar se volejbollistja shqiptare ka qenë vendimtare, duke shënuar afro 25 % të pikëve, pra 390 pikë, nga 1,759 gjithsej që ka realizuar skuadra e saj. Kjo shifër pikësh e bën kapitenen kuqezi shënuesen e 4-t më të mirë të Serisë A të volejbollit italian të femrave.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme