Kupa e Gjermanisë, eliminohen dy favorite

Një nga ekskluzivitetet sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar është Kupa e Gjermanisë në futbollit, e cila ka mbyllur takimet e turit të 32-shes, me ndeshjet e luajtura të mërkurën. Dhe pasi janë njohur të martën 8 skuadrat e para, 24 orë më pas janë njohur edhe 8 skuadrat e tjera që vijojnë më tej në turin e 16-shes. Nuk kanë munguar të papriturat dhe, në takimin që është sjellë më herët në kanalin RTSH Sport, Karslruhe ka shtangur Bajer Leverkusenin, duke e mundur me shifrat 2-1. Ka qenë skuadra që militon në nivelin e dytë të Bundesligës gjermane që e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi, me golin e shënuar që në minutën e 4-t.
Bajer Leverkusi do të këmbëngulë sidoqoftë dhe do të barazojë shifrat në minutën e 54-t, me anë të Frimpongut.
Por një gabim i portierit vendas, Hradeckit, i ka dhuruar 9 minuta më pas Çoit mundësinë për të shënuar golin e dytë dhe koreanojugori nuk fal, por e kthen Karslruhen në epërsi.
Përtej përpjekjeve të Bajer Leverkusenit, skuadra mike e ruan epërsinë dhe është në turin e 16-shes së Kupës së Gjermanisë, duke shkaktuar një të papritur. Ndërkaq, po aq papritur ka qenë edhe nisja e takimi i luajtur në mbrëmje, midis Borusias së Mënshengladbahut dhe Bajernit të Mynihut, teksa vendasit kanë kaluar në epërsi pas vetëm dy minutash lojë, me Konenë.
Pas një çerek ore lojë, Mënshengladbahu dyfishon epërsinë me anë të Rami Bensebainit.
Vetëm 6 minuta më pas, është i njëjti lojtar që tregohet i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe gjen golin e 3-të të Borusias.
Dhe Borusia e Mënshengladbahut ka dëshmuar se rezultati i pjesës së parë nuk ishte një rastësi, duke gjetur edhe dy gola të tjerë brenda 12 minutave të para të pjesës së dytë, me Embolonë që realizon fillimisht në të 51-ën.
6 minuta më pas, ai plotëson dygolëshin e tij, duke e bërë rezultatin edhe më të pabesueshëm.
Borusia e Mënshengladbahut korr kështu një fitore historike, 5-0 ndaj Bajernit të Mynihut dhe siguron vendin në turin e 16-shes së Kupës së Gjermanisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




