9 olimpistët dhe datat e konkurimit

Tanimë është zyrtare se Shqipëria në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” do të jetë pjesëmarrëse me nëntë sportive. Tre me normë kualifikimi, Luiza Gega, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, e gjashtë me ftesë përkatësisht Matvei Petrov, Manuela Delilaj, Izmir Smajlaj, Nikol Merizaj, Kledi Kadiu dhe Indrid Çullhaj. Pas dorëzimit të flamurit, delegacioni shqiptar për në Tokio niset më 16 korrik.
Dhe më 24 korrik i pari që garon për Shqipërinë është Matvei Petrov në gjimnastikë, kali me doreza, i cili nëse kualifikohet më 1 gusht do të ketë finalen. Më 25 korrik Manuela Delilaj do të jetë në konkurrim në qitje pistoletë 10 metra, sikurse Indrid Çullhaj në xhudo pesha 66 kilogram. Më 27 korrik konkurron në not, 100 metra stil i lirë, Kledi Kadiu. Më 28 korrik dita e Briken Caljes në peshëngritje 73 kilogram prej të cilit shpresohet medalja olimpike.
30 korriku shënon garën e fundit të Manuela Delilajt në qitje pistoletë sportive 25 metra, si dhe sjell në konkurrim në not, 50 metra stil i lirë, Nikol Merizajn. Më 31 korrik do të ketë garën kualifikuese në kërcim së gjati Izmir Smajlaj, i cili nëse kualifikohet për finale do të jetë përsëri në pedanë më 2 gusht.
Po më 31 korrik në peshën 81 kilogram në peshëngritje garon Erkand Qerimaj. Dhe e fundit në garim për Shqipërinë do të jetë e vogla e artë e atletikës shqiptare Luiza Gega, që më 1 gusht ka garën kualifikuese në 3000 metra me pengesa, kurse finalen, gjithnjë nësë kualifikohet, më 4 gusht. Këto janë datat e olimpistëve shqiptare, teksa Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, nga 23 korrik – 8 gusht, së bashku me Mbrëmjen Gala të dorëzimit të flamurit më 14 korrik, do të vijnë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




