Ulet afati për pajisjen me kartë ID nga 14 ditë në 3 ditë

Aktualitet | 2 vite më parë

Shkurtohet afati i pajisjes me kartë ID. Nga 14 ditë që ka qenë koha për pajisjen e qytetarëve me kartën e identitetit, tanimë mund ta marrin për 3 ditë. Lajmi është komunikuar nga Ministria e Brendshme, dhe risia është lançuar nga IdentiTek, kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike, duke sjellë një shërbim të ri për qytetarët shqiptarë, përkatësisht e identitetit të shpejtë.

“Falë këtij shërbimi, përmes një pagese prej 3 mijë lekësh, çdo qytetar mund të pajiset me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh.

Shërbimi është krijuar për të lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e aplikimit, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë urgjente për dokumentin e tyre të identifikimit. Procedura e përshpejtuar është veçanërisht e dobishme për emigrantët, të cilët qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri, si edhe për të gjithë ata që kanë nevojë të marrin shpejt kartën e tyre të identitetit, qoftë për arsye personale, profesionale apo administrative.

Në vijim të angazhimit për inovacion dhe lehtësimin e aksesit në shërbime, IdentiTek, në varësi të Ministrisë së Brendshme, synon të jetë sa më pranë qytetarëve, duke ofruar produkte e shërbime, të cilat përmirësojnë jetën e tyre”, thuhet në njoftim.

Aplikimi kryhet në çdo zyrë IdentiTek në të gjithë Shqipërinë. Procedura:

  • Merrni me vete dokumentin e vjetër ose vetëdeklarimin e humbjes/vjedhjes nga e-Albania;
  • Blini kuponin (me procedurë të përshpejtuar);
  • Bëni aplikimin në një nga zyrat e IdentiTek;
  • Tërhiqni kartën e re po aty ku keni bërë aplikimin.

Ky shërbim është i aksesueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë, duke përfshirë:

  • Ata që pajisen për herë të parë me letërnjoftim elektronik;
  • Ata që rinovojnë dokumentin e skaduar;
  • Ata që kërkojnë zëvendësim për shkak të skadimit, dëmtimit apo humbjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme