Sulmi në Zveçan, Kurti: Mosdorëzimi i Radoiçiqit inkurajon terroristët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar sulmin terrorist ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan.
Kurti shkruan se mosdorëzimi i Milan Radoiçiq po shfrytëzohet për qëllime shoviniste dhe ky është një mesazh i rrezikshëm që sipas Kurtit inkurajon kriminelët të ndërmarrin akte të tilla.
“Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese”, ka shkruar ai.
Kryeministri i Kosovës e quajti sulmin e fundit cenim të sigurisë dhe pengim të integritetit të qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.
“Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët. Institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar Kurti.
Kurti thekson më tej se përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet, sipas tij, të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




