Kurti: Radoiçiqi endet i lirë, duhet ekstraduar në Kosovë. Të japë llogari për sulmin në Banjskë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Milan Radoiçiqi vijon të ende i lirë ndërsa sipas Kurtit duhet të ekstradohet në Kosovë.
Kurti ka theksuar faktin që ende nuk ka drejtësi dhe llogaridhënie për sulmin terrorist në Banjskë dhe se Milan Radoiçiq mbrohet nga aparati shtetëror serb.
Kryeministri i Kosovës e shprehu këtë qëndrim teksa priti në një darkë pune Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy dhe të Dërguarën e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce.
Duke vlerësuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e fuqishme të Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri veçoi edhe atë mes FSK-së dhe institucioneve britanike të mbrojtjes dhe sigurisë.
Në vijim, kryeministri e uroi sekretarin Lammy dhe të Dërguaren e Posaçme Karen Pierce për pritjen e Samitit të Procesit të Berlinit këtë vit nga ana e Mbretërisë së Bashkuar, duke i ofruar bashkëpunim për ta bërë këtë samit sa më të suksesshëm.
Kurti e njoftoi më tej z. Lammy me progresin demokratik dhe zhvillimin ekonomik që ka njohur vendi ynë gjatë këtij mandati qeverisës, të dëshmuar dhe nga rankimet pozitive në indekset ndërkombëtare në fusha si, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, dhe demokracia liberale e elektorale.
Ai e njoftoi sekretarin Lammy edhe për investimet në fushën e mbrojtjes dhe arritjen e nivelit të buxhetit për mbrojtje në 2% të BPV-së si standard i NATO-s, si dhe theksoi objektivat e synimet parësore të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian dhe në Këshillin e Evropës.
Bashkë me Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, Kurti diskutoi edhe rreth situatës aktuale në rajon dhe asaj gjeopolitike në Evropë, si dhe çështjet e sigurisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




