2 Prilli, Dita Botërore e Ndërgjegjësimit ndaj Autizmit

Sociale | 2 vite më parë

Autizmi është një çrregullim neuro-biologjik i zhvillimit të trurit me shumë të panjohura dhe që mund të prekë këdo. Ai kapërcen kufijtë gjeografikë, prek fëmijët, pa dallim ngjyre e kombësie, gjendje socioekonomike, niveli arsimor e kulturor. Pra, autizmi nuk zgjedh. Përballë atij askush nuk është i imunizuar. Rritja statistikore e këtij çrregullimi, nga viti në vit, përveçse është shqetësuese, është edhe e pashpjegueshme.

Fëmijët me çrregullim të spektrit, kanë të dëmtuara disa funksione, por tre janë më të rëndësishmet dhe kryesoret, pasi vërehen pothuajse tek të gjithë fëmijët me këtë çrregullim dhe shërbejnë në përcaktimin e diagnozës. Ato janë:

1. Dëmtime në marrëdhëniet sociale apo dëmtime të ndërveprimit shoqëror, të cilat mund të konsiderohen si çrregullime kryesore, pasi kanë të bëjnë me aftësitë e integrimit, lidhjet apo marrje – dhëniet në shoqëri.

2. Dëmtime në komunikim, të cilat prekin tërësisht ose pjesërisht të folurit.

3. Dëmtime në mënyrën e sjelljes, që shprehen me lëvizje kaotike të duarve, kokës apo trupit, lëvizje të përsëritura, stereotipike, të lodhshme, jo rrallë edhe të kufizuara

Autizmi, ose çrregullimi i spektrit të autizmit prek miliona fëmijë në mbarë botën. Gjendja është veçanërisht sfiduese për prindërit, të cilëve prej kohësh u është dashur të përballen me aksesin e kufizuar në kujdes, mungesën e opsioneve të trajtimit dhe stigmën e përgjithshme të lidhur me këtë çrregullim. Por falë aktivizmit të prindërve dhe përparimeve në kërkimin shkencor, autizmi është kuptuar shumë më mirë në ditët e sotme.

Fakte të përgjithshme:

Sipas CDC në SHBA, prevalenca e këtij çrregullimi llogaritet 1 në 36 fëmijë.

Djemtë mbeten 4 herë më të prekur se vajzat. Një pjesë e vogël e fëmijëve të prekur kanë autizëm të thellë.

Në Shqipëri sipas të dhënave që Ministria e Shëndetësisë i ofroi RTSH-së në rrugë zyrtare, 2.467 persona me çrregullime të spektrit të autizimit trajtohen me pagesë të aftësisë së kufizuar nga programi i mbrojtjes sociale dhe 1.450 prej tyre mbështeten dhe me pagesë për shërbimin e ndihmësit personal. Fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit përfitojnë në total nga 76 shërbime publike (ditore dhe rezidenciale) në të gjithë vendin. Konkretisht:

  • Në nivel bashkie, me bashkëfinancim me OSHC ofrohen 21 shërbime;
  • Me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në partneritet me bashkitë ofrohen 12 shërbime për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit;
  • Gjithashtu, fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit përfitojnë shërbim edhe në 6 qendra multidisiplinare, të cilat ofrojnë shërbime të specializuara.

Në 2 Prill, Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit ndaj Autizmit, komuniteti i ekspertëve bën thirrje për mosneglizhencë të simptomave dhe trajtim të hershëm përmes terapive në qendra profesionale. Komuniteti I prindërve bën thirrje që fëmijët e tyre të mos bullizohen në shkolla, të mos diskriminohen e të mos përjashtohen. Sipas prindërve, punësimi I të rinjve me autizëm është një sfidë gati e pamundur pasi punëdhënësit tanë ende nuk marrin masa zhvillimin e neurodiversitetit në ambientet e tyre.

Çfarë e shkakton autizmin dhe si trajtohet?

Shkencëtarët ende nuk e dinë shkakun e saktë të autizmit. Ata përgjithësisht pajtohen se fëmijët lindin me autizëm, pjesa e madhe e kërkimeve të prodhuara deri më tani nuk mund të përcaktojë shkakun e saktë të tij. Çrregullimi, i cili zakonisht diagnostikohet në fëmijërinë e hershme, mendohet të ndodhë për shkak të një kombinimi të faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë.

Faktorët gjenetikë përfshijnë lindjen e parakohshme, peshën e ulët të lindjes dhe historinë familjare të këtij çrregullimi. Ndërkohë, faktorët mjedisorë përfshijnë ekspozimin e prindërve ndaj toksinave, infeksioneve virale dhe disa ilaçeve të përdorura gjatë shtatzënisë. Studiuesit e kanë lidhur gjithashtu autizmin tek fëmijët me problemet e patrajtuara të shëndetit mendor tek nënat në pritje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme