Osmani: Kosova po përballet me sulme nga Serbia, autorët të vihen para drejtësisë

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova po përballet me sulme të vazhdueshme nga Serbia.
Duke folur në konferencën pas takimit me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy, presidentja Osmani tha se në dialog me Serbinë, Kosova mbetet një palë konstruktive e përkushtuar për paqe e stabilitet pavarësisht se vendi përballet me obstruksione e provokime nga ana e Serbisë.
“Një temë e rëndësishme e diskutimit tonë ishte edhe dialogu me Serbinë. Kam ripërsëritur edhe njëherë faktin Kosova mbetet një palë konstruktive e përkushtuar për paqe e stabilitet, pavarësisht se vazhdimisht përballemi me obstruksione e provokime nga ana e Serbisë, përfshirë edhe sulmet e njëpasnjëshme që kanë filluar vite më herët, e po vazhdojnë edhe tani”, tha presidentja e cila ka ripërsëritur kërkesën që autorët të përballen me drejtësinë.
Osmani vuri në dukje se autorët e sulmeve ndaj Kosovës duhet të vendosen përpara drejtësisë nga ana e Serbisë. Por sipas saj, Beogradi nuk ka bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim.
“Është e domosdoshme që duhet të ketë llogaridhënie e vënie të të autorëve para përgjegjësisë nga ana e Serbisë, Por fatkeqësisht po e shohim që nuk ka asnjë lëvizje nga ana e Serbisë as sa i përket aktit të agresionit të shtatorit 2023, as sa i përket sulmit të ushtarëve të NATO-s, por as të veprimeve të fundit terroriste që kanë ndodhur në veri të vendit”, tha Osmani.
Ndërkaq, Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës.
Ajo shtoi se Kosova mirëpret angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar edhe sa i përket eksportit të armëve në Kosovë.
“Ky hap do të kontribuojë jo vetëm në forcimin e sigurisë sonë, por edhe në avancimin e industrisë së mbrojtjes së Britanisë së Madhe”, tha Osmani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




