Homazhet për Margarita Xhepën, Zamira Kita në RTSH 24: Ishte një margaritar në botën e artit shqiptar
Aktorja Zamira Kita ka shprehur dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të aktores Margarita Xhepa, duke e cilësuar si një humbje të madhe për artin shqiptar. “Margarita ishte një margaritar në botën e artit shqiptar,” tha Kita, duke theksuar se, megjithëse ajo u shua, vepra e saj do të mbetet gjithmonë e gjallë.
“Një ditë më parë festuam ditëlindjen e Margaritës. Fillimisht e kujtoja një lapsus apo gabim, nuk po e besoja. Ishte lajm shumë i dhimbshëm. Ne nuk do reshtim pa kujtuar dhe folur për Margaritën. Ajo vërtetë u shua por vepra e saj do të jetë përjetësisht e gjallë. Figurën e saj e vlerësojnë të gjithë, ajo kishte talentin dhe përkushtimin në punë. Ajo ishte një margaritar në botën e artit shqiptar. Ajo ishte një margaritar në botën e artit shqiptar. Aktoret në nivelin e Margarita Xhepës janë të pakta sa gishtat një dore”, u shpreh Kita.
Në një intervistë për RTSH 24, Kita vlerësoi talentin dhe përkushtimin e Margaritës në punë, si dhe mirësinë dhe inteligjencën që buronin nga ajo. Kita ndau gjithashtu përvojat personale me Margaritën, duke shpjeguar se ishte një mikesha e dashur dhe se Margarita ishte një “busull” për jetën profesionale të saj.
“Ajo transmetoi shumë tek unë me punën e saj. Margaritës i buronte mirësia, ishte inteligjente, ne humbëm një mike të dashur dhe vlerë të kombit. E kam pasur idhull, si busull, e cila vijonte të krijon e ende në këtë moshë. Unë kam mësuar shumë prej saj”, tha aktorja.
Zamira Kita ndau dhe një shqetësim të Margarita Xhepës për të rinjtë, ku kërkonte t’i inkurajonte ata në botën e artit. Në nivel personal, Kita theksoi thjeshtësinë dhe dashurinë e saj për të gjithë.
“Një shqetësim të madh kishte për të rinjtë, na thoshte gjithmonë t’i mbështesim që të fitonin përvojë. Margarita ndryshe nga shumë artistë të tjerë, thoshte se teatri vijon të punojë dhe shoh ende shfaqje të mira. Margarita i vlerësonte teatrot, por vërejtjet i kishte vetëm për faktin se nuk punohet aq fortë dhe me pasion, si në vitet më parë. Ajo nuk e ndante filmin nga teatrit, por vitet e fundit u fokusua më shumë ndaj roleve të filmit dhe donte t’i bënte me dëshirë të madhe. Më vjen mirë që kishim një aktore si Margarita Xhepa. Në aspektin njerëzor më emociononte marrëdhëniet që ajo kishte krijuar me nipin e saj, ishte një nënë e shkëlqyer por edhe me të gjithë në artistët, ajo kishte thjeshtësi të admirueshme dhe nuk ta bënte të vështirë qasjen në punë apo në tavolinë”, tha ajo.
Margarita Xhepa u shua në moshën 91-vjeçare më 3 prill, ndërsa në nder të figurës së saj u mbajtën homazhet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ajo luajti 150 role në teatër dhe 32 në filma, duke u vlerësuar gjithmonë si një nga “Zonjat e Mëdha” të skenës dhe ekranit shqiptar. Në vitin 2003, Xhepa u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, një vlerësim për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë. Ajo gjithashtu mbante titullin “Artiste e Popullit” dhe kishte lënë një ndikim të thellë në çdo brez që ka ndjekur punën e saj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




