Homazhet për Margarita Xhepën – Edmond Topi: Pengu më i madh është që nuk arriti të shihte filmin e fundit

Kulturë | 2 vite më parë

Edmond Topi, regjizori i njohur i ftuar në studion e RTSH 24, ka ndarë një kujtim të veçantë për aktoren që ka pasur një ndikim të madh në karrierën e tij.

Ai ka kujtuar momentet e para të takimit me aktoren Margarita Xhepën, të cilën e cilëson si një nga më të mirat e brezit të saj, duke theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer që kishin në projekte të ndryshme, përfshirë filma dhe festivale.

“Nuk besoj se më kujtohet fiks kur jemi takuar por ne kemi mbi 30 vite që njihemi dhe në atë kohë isha i ri asistent dhe me te birin ishim koleg dhe mi. Më pas bashkëpunimi lindi më shumë vitet e fundit kur bënim festivalet apo kur xhirohej film. Ishte ndër aktoren e preferuara gjatë kohës kur studioja për regji sepse përveç një aktore shumë e mirë ishte dhe shumë bashkëpunuese. E kisha aktore tek filmi “Yjet e së Ardhmes” dhe është një përvojë e paharruar. Si aktore e ka provuar veten ne kinema dhe teatër por edhe në qasjen e saj besoj që ka qenë nga më të mirat e brezit të saj”, u shpreh regjizori Edmond Topi.

Regjizori Topi ka vazhduar të flasë për karakterin dhe profesionalizmin e aktores, duke theksuar se ajo ishte gjithmonë e njëjtë, e përkushtuar dhe njerëzore, pa bërë dallime mes regjisorit dhe aktorëve.

Ai gjithashtu ka theksuar ndryshimet mes brezave, duke theksuar se brezi i vjetër i kineastëve ishte jashtëzakonisht i angazhuar dhe se sot, ndonëse ka talente të reja, perceptohet një ndryshim i dukshëm në qëndrimet dhe përkushtimin ndaj punës.

“Si rrallë aktorë apo bashkëpunëtor nuk kishte ndryshim të madh, ajo sillej me të njëjtën qasje si me regjisorin ashtu dhe me aktorin.  Ajo ishte i njëjti njeri i njerëzishëm me të gjithë. Brezi i vjetër i kineastëve është shumë i angazhuar ndaj punës dhe ndjen ndryshim të madh me brezin e sotëm”, tha regjizori.

Ai ka theksuar se Margarita Xhepa ishte gjithmonë e orientuar drejt krijimit të artit të pastër, pa u komercializuar dhe se pengu më i madh për të është fakti që ajo nuk arriti ta shihte filmin e fundit në të cilin luajti duke shprehur dhimbjen e tij për humbjen e një prej aktoreve më të talentuara të brezit të saj.

“Ne kemi folur gjatë dhe ajo e përjetonte pasi ne ishim të orientuar të bënim më shumë art dhe kjo nuk do të thotë se jemi më të mirë apo më të këqij. Besoj që asaj si dhe brezit të saj i mungonte të bërit art. Ajo ishte rritur me art, u bë e njohur me artin dhe nuk pranonte ta komercializonte figurën e saj. Pengu më i madh është se Margarita nuk arriti ta shoh filmin e fundit të saj dhe ky është një peng i vërtet. Më vjen shumë keq që Margarita nuk arriti ta shoh por jam shumë i gëzuar që e kemi në një film të fundit”, tha Edmond Topi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme