Mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës: Serbia po tenton të sabotojë krijimin e institucioneve të reja

Kosovë | 2 vite më parë

Ndërhyrjet e pretenduara të Serbisë në fushatën dhe zgjedhjet e nëntë shkurtit, përmes partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, si dhe ish-nënkryetarit të saj Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përsipër sulmin në Banjskë ndaj policisë së Kosovës, ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku, ishin ndër çështjet që u diskutuan gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që u mbajt të dielën me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Serbia po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që të sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxisë tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën”, shkruhet në njoftimin për shtyp të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ku theksohet se ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron “trysni të paprecedentë” për pjesëmarrje në mitingun që presidenti serb do të mbajë javën e ardhshme në Kosovë.

Në takimin e Këshillit të Sigurisë gjithashtu u diskutua gjendja e sigurisë, sidomos në veri të Kosovës, ku në datën 1 prill u sulmua me granadë dore zyra e postës së Kosovës në Zveçan, fatmirësisht duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në njoftimin për shtyp të Këshillit të Sigurisë së Kosovës gjithashtu bëhet me dije se është diskutuar edhe arrestimi që u ndërmor mbrëmjen e djeshme i katër qytetarëve serbë në Gjakovë, prej të cilëve një ishte toger i policisë serbe dhe një tjetër kapiten i ushtrisë serbe, ndërsa iu kërkohet të gjitha institucioneve të vendit të jenë në gjendje të lartë gatishmërie dhe vigjilence.

“Regjimi i Vuçiç po synon të eksportojë në Kosovë krizën me të cilën po përballet në vendin e tij”, theksohet ndër të tjera në deklaratën për shtyp të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme