Kurti: Serbia kërkon të sabotojë institucionet tona,  ka shënjestruar deputetë të pakicave joserbe

Kosovë | 2 vite më parë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se pas ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga këto zgjedhje.

“Pas ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Republikën e Kosovës, për çfarë kemi informuar në konferencë për media bashkë me ministrin Nenad Rashiq me datë 9 mars 2025, Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga këto zgjedhje”, shkruan në rrjetin social në Facebook.

Kurti thekson se Serbia po ofron mbështetje për Listën Serbe dhe Milan Radoiçiq, i cili është i përfshirë në aktivitete kriminale.

“Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, i cili në agresionin kriminal e terrorist të Banjskës, më 24 shtator 2023, ishte nënkryetar “de jure” i Listës Serbe, kurse tani është kryetar “de facto” i këtij subjekti politik. Në shënjestër janë disa deputetë të pakicave joserbe”, shkroi Kurti në Facebook.

Kryeministri Kurti vë në dukje se institucionet e sigurisë kanë informacion të konfirmuar lidhur me këto veprime dhe se kjo çështje u shqyrtua në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme