Ekuador – Presidenti Noboa dhe avokatja e majtë në balotazh për postin e kreut të shtetit

Botë | 2 vite më parë

Ekuadorianët po votojnë të dielën në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të vendit, duke u përballur me zgjedhjen midis presidentit aktual, Daniel Noboa dhe avokates së majtë, Luisa González.

Noboa, një milioner i ri konservator dhe González, u kanë premtuar votuesve zgjidhje për zhvatjet, vrasjet, rrëmbimet dhe krimet e tjera që u bënë pjesë e jetës së përditshme, pasi vendi doli nga pandemia. Analistët presin që rezultati në votën e së dielës të ketë një diferencë shumë të ngushtë.

Ky është balotazhi i dytë presidencial në më pak se dy vjet në vendin e Amerikës së Jugut, ku votimi është i detyrueshëm.

Votuesit zgjodhën Noboa-n mbi González-in në balotazhin e zgjedhjeve të parakohshme në tetor 2023. Kandidatët kaluan në garën e së dielës pasi Noboa fitoi 44.17% të votave ndërsa González mori 44%.

Votuesit janë kryesisht të shqetësuar për dhunën që transformoi vendin, duke filluar nga viti 2021 – një rritje e krimit të lidhur me trafikun e kokainës së prodhuar në Kolumbinë dhe Perunë fqinje.

Të dy kandidatët kanë premtuar politika të ashpra ndaj krimit, pajisje më të mira për zbatimin e ligjit dhe ndihmë ndërkombëtare për të luftuar kartelet e drogës dhe grupet kriminale lokale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme