“Dhuro gjak, shpëto jetë”, studentët e Durrësit japin gjak për të forcuar rezervat kombëtare
Me moton për të shpëtuar jetën, studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës i janë përgjigjur pozitivisht nismës humanitare të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për të dhuruar gjak.
Kjo fushatë synon të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut, por edhe për të forcuar rezervat kombëtare të gjakut, që janë jetike për trajtimin e mijëra pacientëve në spitale.
Mjeku transfuzolog, Kristo Rraca, nënvizon që nevojat për gjak mbeten të përhershme, megjithëse bashkëpunimi me institucionet publike nuk mungon.
“Dhurimi i gjakut është një akt human. Shpëton një jetë, buzëqeshin më shumë fëmijët talasemikë dhe njerëzit në nevojë. Këto kohë që ka pasur dhurime gjaku nëpër institucionet shtetërore nuk ka pasur mungesa, por nevojat janë të përditshme,” thotë Dr. Rraca.
Njësia Lëvizëse e Dhurimit të Gjakut do të vazhdojë të qëndrojë pranë ambienteve të Universitetit të Durrësit përgjatë gjithë javës, me synimin që të gjithë studentëve t’u jepet mundësia për t’iu bashkuar kësaj nisme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




