Njësia elitare i bashkohet lëvizjes protestuese, rritet mospajtimi me luftën në ushtrinë izraelite

Botë | 2 vite më parë

Një grup i vogël rezervistësh nga njësia elitare e inteligjencës ushtarake izraelite iu bashkuan thirrjes për një kthim të menjëhershëm të pengjeve në Gaza, edhe nëse kjo kërkon një përfundim të menjëhershëm të luftës. Kjo është një shenjë e një lëvizjeje proteste në rritje pas më shumë se 18 muajsh lufte.

Letra publike, me më shumë se 250 nënshkrues, thotë se lufta “aktualisht po u shërben kryesisht interesave politike dhe personale dhe jo interesave të sigurisë”.

“Vazhdimi i luftës nuk kontribuon në asnjë nga objektivat e deklaruara dhe do të çojë në vdekjen e pengjeve, ushtarëve (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit) dhe të pafajshmëve,” shkruajnë autorët.

Letra është shkruar nga rezervistë dhe pensionistë nga Njësia 8200 elitare e Izraelit, njësia më e madhe e inteligjencës ushtarake. Letra, gjithashtu, kritikon planet e deklaruara të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të mposhtur Hamasin dhe për të kthyer 59 pengjet e mbetura të mbajtura në Gaza.

Për të vazhduar qeverisjen, kryeministri kërkon mbështetjen e partnerëve të koalicionit nga partitë e esktremit të djathtë, të cilët kanë kërcënuar të largohen nga qeveria nëse lufta përfundon.

“Qeveria nuk mori përgjegjësinë për katastrofën dhe nuk e pranon se nuk ka asnjë plan apo zgjidhje për krizën”, shkruan autorët. “Ne i bashkohemi thirrjes së ekuipazheve ajrore drejtuar të gjithë qytetarëve izraelitë për të ndërmarrë veprime dhe për të kërkuar, kudo dhe në çdo mënyrë, kthimin e pengjeve tani dhe ndërprerjen e luftimeve.”

Protesta e re publike vjen një ditë pasi qindra pensionistë dhe rezervistë të forcave ajrore publikuan një letër të ngjashme në gazetat kryesore në Izrael, duke thënë se “lufta u shërben kryesisht interesave politike dhe personale dhe jo interesave të sigurisë”.

Izraeli ka një ushtri relativisht të vogël, por një trupë rezervë shumë më të madhe mbi të cilën mbështetet gjatë një konflikti të zgjatur. Një lëvizje proteste në rritje brenda rezervistëve mund të ndikojë potencialisht në aftësinë e ushtrisë izraelite për të kryer një fushatë të zgjeruar në Gaza.

Ndërkohë që dy letrat kritikonin vazhdimin e luftës, nënshkruesit nuk kanë refuzuar të shërbejnë.

Brenda pak orësh nga publikimi i letrës së parë të enjten, ushtria izraelite njoftoi se kishte pushuar nga puna rezervistët e forcave ajrore që kishin nënshkruar letrën dhe po analizonte nënshkrimet për të parë se sa të tjerë ishin ende në ushtri. Një zyrtar i IDF tha se shumica e nënshkruesve nuk janë rezervistë aktivë.

Komandanti i Forcave Ajrore të Izraelit, gjeneralmajor Tomer Bar, e kritikoi letrën në misionin e tij të botuar të premten.

“Mesazhet që shfaqen në proklamatë shprehin mungesë besimi dhe dëmtojnë kohezionin brenda forcës,” shkroi Bar. “Një publikim i tillë nuk ka vend gjatë kohës së luftës pasi ushtarët dhe komandantët e IDF po rrezikojnë jetën e tyre.”

‘Financuar nga paratë e huaja’

Netanyahu kritikoi letrën e re të protestës dhe u përpoq t’i cilësonte autorët si një pakicë të vogël.

“Ato janë shkruar nga një grup i vogël mollësh të këqija, të operuara nga organizata të financuara nga paratë e huaja, të cilat kanë një qëllim – të arrijnë në krye të qeverisë së krahut të djathtë”, tha Netanyahu në një deklaratë, pa dhënë asnjë provë për pretendimet e tij për ndikim të huaj.

Por deklarata e Netanyahut pranoi se letrat e protestës vinin nga pjesë të shumta të ushtrisë dhe përmendi një letër të ngjashme të mundshme nga marina. “Edhe një herë të njëjtat letra: një herë në emër të pilotëve, një herë tjetër në emër të të diplomuarve të marinës dhe herë të tjera me emra të ndryshëm,” tha ai.

Kryeministri u përpoq të minimizonte rëndësinë e letrave, pavarësisht nga sondazhet e fundit që tregonin se gati 70% e publikut izraelit mbështet përfundimin e luftës për të liruar pengjet e mbetura.

“Ky nuk është një trend. Ky nuk është një fluks. Ky është një grup i vogël personeli në pension, të cilët janë të zhurmshëm, anarkistë dhe të larguar,” tha ai.

Lëvizja për të shtypur protestën publike u duk se synonte të frenonte pakënaqësinë gjithnjë e më të zëshme midis rezervistëve dhe të parandalonte një përsëritje të vitit 2023, kur valët e rezervistëve thanë se do të refuzonin të shërbenin në shenjë proteste ndaj përpjekjeve të Netanyahut për rinovim gjyqësor.

Pothuajse të gjithë ata rezervistë në fund iu përgjigjën thirrjeve që morën pasi Izraeli u sulmua më 7 tetor, por uniteti i kohës së luftës ka filluar të lëkundet ndërsa lufta është zvarritur. CNN

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme