RTSH 24- Dështon seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Nazarko: Qeveria “Kurti” duhej të kishte dhënë më parë dorëheqje

Kosovë | 2 vite më parë

Analisti politik, Mentor Nazarko, ka komentuar për RTSH 24 zhvillimet më të fundit në Kosovë, duke u fokusuar tek seanca që dështoi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Nazarkos, mungesa e konstituimit do të çojë në vonesa sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, gjë që do të çoj natyrshëm edhe në vonesa sa i përket formimit të qeverisë.

“Ligji për funksionimin e qeverisë është miratuar nga vetë qeveria Kurti. Neni 26 thotë qartë se në momentin që një ministër zgjidhet deputet, ai jep dorëheqje nga posti qeveritar. Duhet respektuar ky ligj që ata vetë e kanë propozuar dhe miratuar. Akti i dorëheqjes duhej të bëhej në parë, që në momentin e marrjes së mandatit.”, tha Nazarko.

Në vijim të analizës, Nazarko argumentoi se nëse nuk do të ishte neni 26, pretendimet e opozitës mund të konsideroheshin të tepruara.

“Por Kosova ka ligjin e papajtueshmërisë së mandateve. Në momentin që zgjidhet deputet, s’mund të jetë ministër. Ligji i miratuar në vitin 2022, neni 26, e ndalon një gjë të tillë. Ky është elementi ku opozita mbështet pretendimet e saj.”, tha Nazarko.

Sipas tij, edhe kryeministri në detyrë kur i ka mbaruar mandati, nuk mund të marrë vendime të rëndësishme si me efekte financiare apo për  emërime dhe shkarkime etj.

“Në përputhje me ligjin, që vetë kjo shumicë e ka miratuar, duhej të ishin dhënë dorëheqjet kohë më parë. Sinjalet ishin dhënë më parë për këtë situatë, që kur Kurti zhvillonte negociata për formimin e qeverisë dhe ato i bënte në zyrën e qeverisë. Ftoi dhe LDK-në, por ajo nuk shkoi në zyrën e Kryeministrit sepse është një lloj abuzimi me detyrën. Opozita dukej se ishte e koordinuar në ngritjen e pretendimit, duke e vënë qeverinë në krizë. PDK, LDK dhe AAK, duket se e kanë unifikuar qëndrimin e tyre. Vetëvendosja duket se nuk ka siguri për krijimin e shumicës. Edhe ndërprerja e seancës duket si taktikë për të fituar kohë.”, tha Nazarko.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme