Nis kremtimi i Pashkës, ceremonia e Epitafit mbledh qindra besimtarë në Vlorë, Korçë dhe Fier

Aktualitet | 2 vite më parë

Mbrëmjen e së premtes, në Kishën e Shën Theodhorit në Vlorë u zhvillua ceremonia e daljes së Epitafit, një nga momentet më të rëndësishme të Pashkëve.

Qindra besimtarë morën pjesë në procesionin solemn, duke ndjekur ritin tradicional me qirinj të ndezur dhe këngë liturgjike.

Ceremonia simbolizon vendosjen në varr të Krishtit dhe përgatit besimtarët për festën e Ngjalljes.

Edhe qyteti i Korçës u mbush pasditen e të premtes nga mijëra besimtarë ortodoksë, të cilët morën pjesë në procesionin tradicional të Epitafit, një nga kulmet shpirtërore të Javës së Madhe në kalendarin ortodoks.

Ndërkaq edhe në Katedralen Ortodokse në Tiranë janë mbledhur qindra besimtarë, të cilët kanë ndezur qirinj dhe bërë lutje. Procesioni do të zhvillohet nga katedralja, në sheshin ‘Skënderbej’, për t’u rikthyer sërish në kishë.

Besimtarë të shumtë ortodoksë edhe në Fier kanë ndjekur mbrëmjen e sotme të Premten e Madhe. Epitafi ka dalë në qytet në orën 19: 30 nga kisha katedrale e Shën Gjergjit, shoqëruar nga dhjetëra besimtarë të grup-moshave të ndryshme.

Ceremonia simbolike është paraprirë nga Banda Frymore e qytetit. Epitafi ka përshkuar qendrën e qytetit të Fierit duke përcjellë në qytet mesazhe paqeje, besimi, shprese dhe ringjalljeje. 

E premtja e Zezë shënon vdekjen e Jezu Krishtit në Kryq, për t’u ringjallur mesnatën e së shtunës, kohë kur kulmojnë edhe kremtimet e Pashkëve. E premtja e Zezë i paraprin të dielës së Pashkëve. 

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme