Ndahet nga jeta Papa Françesku, shtyhen ndeshjet e Serie A

Papa Françesku ka vdekur. Eminenca e tij, Kardinali Farrell, njoftoi: “Të dashur vëllezër dhe motra, me dhembje të thellë duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku. Në orën 7:35 të mëngjesit të sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij”.
Papa Françesku ishte 88 vjeç. Një aleat i mrekullueshëm në ndërtimin e paqes, kjo është ajo që sporti ka përfaqësuar gjithmonë për Papën. Çdo disiplinë sportive si një shëmbëlltyrë për të trajnuar vlerat morale të çdo individi. Sporti është besnikëri, antiteza e rrugëve të shkurtra dhe tundimeve të jetës. Është një talent që duhet stërvitur dhe mbrojtur, si në jetë. Është punë e vështirë, por nuk të rëndon nëse mund të shikosh përtej pamjes.
Në Buenos Aires të viteve 1940, në lagjen Boedo, kur ishte djalë, Jorge Bergoglio luante në rrugë me një pelota de trapo, një top lecke; ajo prej lëkure kushton shumë. Pata dura, këmba e fortë, e thërrisnin, prandaj e futën në portë. Më pas të dielave shkonte me familjen në Viejo Gasometro për të bërë tifo San Lorenzo de Almagro, në atë stadium si tifoz festonte kampionatin e fituar nga cuervos në vitin 1946. Ai luante edhe basketboll, sepse babai i tij Mario ishte talent në ekipin e basketbollit.
Pas ndarjes nga jeta të Atit të Shenjtë, Lega Serie A njofton se ndeshjet e planifikuara për sot të kampionateve të Serisë A janë shtyrë për një datë që do të përcaktohet.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




