Trupi i Papa Françeskut vendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit për nderimet publike

Botë | 2 vite më parë

Trupi i Papa Françeskut vendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku do të qëndrojë për homazhet publike deri ditën e shtunë, kur do të mbahet ceremonia e varrimit. Mijëra besimtarë nga e gjithë bota janë mbledhur në Vatikan për të nderuar Papën, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare.

Ceremonia nisi me një lutje të drejtuar nga Kardinali Kevin Farrell, përpara se arkivoli të vendoset në Bazilikë për të lejuar qytetarët të bëjnë homazhet e tyre. Rreshtat e pelegrinëve kanë filluar që në orët e para të mëngjesit, ndërsa autoritetet raportojnë për dhjetëra mijëra njerëz që kanë zbritur në Vatikan në dy ditët e fundit.

Papa Françesku do të varroset në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, duke u bërë Papa i parë që prej Leo XIII në vitin 1903 që do të prehet jashtë Vatikanit. Vetë Papa kishte kërkuar një varrim të thjeshtë, larg praktikave ceremoniale tradicionale të Selisë së Shenjtë.

Në ceremoninë e varrimit, që do të mbahet të shtunën, pritet të marrin pjesë liderë të shumtë botërorë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Nga Mbretëria e Bashkuar, pritet të jetë i pranishëm Princi William, në përfaqësim të mbretit Charles.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme