Barcelona, nis faza kulmore

Barcelona lufton për triumf në tre fronte dhe ka hyrë në fazën kulmore të sezonit, që nis me finalen e Kupës kundër Real Madrid, për të vazhduar me dy takimet kundër Interit në Champions League dhe Realit në kampionat. Në të paktën dy prej tyre do të jetë pa golashënuesin Lewandowski.
Barcelona ka hyrë në fazën më të rëndësishme të sezonit, që mund të mbyllet me të gjithë trofetë, por edhe pa fituar asgjë. Skuadra e Hansi Flick është në luftë në të gjitha frontet, kampionat e Kupë në Spanjë, si dhe në Champions League, dhe brenda dy javëve do të ketë përballjet që mund të vendosin shumëçka ose gjithçka. Për titullin kampion, Barcelona është favorite si kryesuese, megjithatë duhet pritur edhe disa javë, ndërsa trofeu i parë do të jetë vetëm pas pak ditësh.
Të shtunën në mbrëmje, në Sevilje, luhet finalja e Kupës së Spanjës, kundër Real Madrid. Të mërkurën e ardhshme do të jetë ndeshja e parë gjysmëfinale e Champions League, kundër Interit, në Barcelonë. Në 6 maj, kuqeblutë u kthejnë vizitën italianëve në Milano, në takimin ku me shumë gjasa vendoset kalimi në finalen evropiane, ndërsa më 11 maj është ndeshja që mund të vendosë përfundimisht edhe fatin e titullit, pasi pret Real Madrid.
Barcelona mund të jetë favorite për secilin prej kompeticioneve dhe përballjeve, por kundërshtarët janë realisht të fortë, e si për ta shtuar dozën e vështirësisë Flick sapo ka humbur sulmuesin Robert Lewandowski, të paktën për dy prej këtyre ndeshjeje, si dhe për Valadolidin midis tyre.
Polaku është golashënuesi më i mirë i Ligës Spanjolle dhe i treti në Champions League. Sigurisht që Barcelona është makinë golash, me dhe pa Lewandowskin, por në ndeshjen e fundit, kundër Majorkës, fitoi minimalisht me golin e Olmos, dhe në momentet kulmore të sezonit pesha e një lideri si polaku mund të ndihet.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




