Kina heq në heshtje tarifat hakmarrëse për disa gjysmëpërçues të prodhuar në SHBA

Botë | 2 vite më parë

Kina ka hequr në heshtje tarifat hakmarrëse prej 125% për disa gjysmëpërçues të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, sipas informacioneve të dhëna për CNN nga tre agjenci importi në qytetin e teknologjisë, Shenzhen.

Përjashtimet, që nuk janë bërë ende publike nga autoritetet kineze, kanë të bëjnë me qarqe të integruara – të njohura si mikroçipe – dhe u zbuluan nga agjencitë importuese të enjten në mbrëmje.

Kujtojmë se më 12 prill, Kina kishte rritur në 125% tarifat për mallrat amerikane, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të ish-presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur një taksë prej 145% ndaj produkteve kineze.

Megjithëse Kina ka projektuar një imazh të fortë dhe të vetëbesuar në përballjen me luftën tregtare me SHBA-në, lëvizja për të përjashtuar disa produkte sugjeron një nevojë për të siguruar komponentë kritikë që nuk mund të prodhohen lehtësisht brenda vendit.

Autoritetet kineze, përfshirë Administratën e Përgjithshme të Doganave dhe zyrat në qytetet portuale Shenzhen dhe Zhongshan, nuk kanë konfirmuar zyrtarisht përjashtimet.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme