Mblidhet Komisioni i Emergjencave në Lezhë, diskutohet për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve gjatë verës
Në kuadër të masave për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve gjatë sezonit të verës, në Lezhë është mbledhur Komisioni i Mbrojtjes Civile në rang qarku.
Duke iu referuar zjarrit të verës së kaluar në malin e Shëngjinit, prefekti Taulant Malshi tha se qarku i Lezhës mbetet i riskuar përballë rreziqeve natyrore, duke kërkuar bashkëveprim të institucioneve përgjegjëse për t’u bërë ballë situatave të tilla.
“Situata që kaluam në Shëngjin tregon se reagimi nuk mjafton, sado i koordinuar të jetë, në qoftë se nuk do të kemi një planifikim dhe një planveprim për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të zjarreve në territor. Secili është koshient që ka një rol shumë të rëndësishëm si drejtues institucioni qendror apo vendor,” deklaroi prefekti Malshi.
Zëvendësdrejtori i Policisë Vendore të Lezhës, Taulant Gjoka, ngriti shqetësimin se kapacitetet njerëzore dhe logjistike nuk janë në nivelin e duhur për të pasur një reagim efikas.
“Përveç njerëzve që angazhohen në terren, në operacione të drejtpërdrejta për shpëtimin dhe reduktimin e rrezikut dhe dëmeve, strukturat që janë shumë efikase dhe tepër të rëndësishme në vlerësimin tim janë sallat apo ekipet që koordinojnë punën e institucioneve të përfshira në këto raste,” u shpreh z. Gjoka.
Gjatë këtij takimi të Komisionit të Mbrojtjes Civile në rang qarku, u kërkua angazhim maksimal i të gjithë strukturave për reagimin në kohë në raste emergjencash, që mund të krijohen nga zjarret gjatë sezonit të verës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




