Berisha në Bilisht: Programi ynë rikthen paratë tek qytetarët dhe ofron mundësi të reja për shqiptarët

Politikë | 2 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paraqitur programin e tij për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar dy synime kryesore: rikthimin e parave tek qytetarët dhe krijimin e mundësive të reja për të gjithë shqiptarët. Në një fjalim të mbajtur sot në Bilisht, Berisha ka deklaruar se pas datës 11 maj 2025, shqiptarët do të kenë mundësinë të hapin një kapitull të ri në jetën e tyre.

“Sot, shqiptarët çdo ditë e më shumë përqafojnë programin e PD. Një program, miqtë e mi, që ka dy synime më kryesore. Së pari, t’ju rikthejmë paratë tuaja, që aktualisht i vjedh qeveria. Së dyti, një mundësi e re për secilin prej jush, për çdo fermer, për çdo biznesmen, për çdo qytetar, banor të Devollit dhe të gjithë Shqipërisë, që pas datës 11 maj të 2025, të mund të çelë një kapitull të ri në jetën e tij.

Miqtë e mi, sot ju shihni dy fushata. Një fushatë, e cila vjen tek ju projekte konkrete, vjen tek ju me projektet, me të cilat kërkon të adresojë çdo vështirësi. Ju keni jetën tuaj të përditshme. Kërkoni që fermat tuaja të jenë ferma suksesi. Kërkoni që, bizneset tuaja të jenë biznese suksesi.

Kërkoni që, të rinjtë tanë të mos largohen nga Devolli, Korça dhe Shqipëria, por të qëndrojnë këtu dhe të ndërtojnë ëndrrën e tyre në Shqipëri”, tha Berisha.

Sipas Berishës, fermerët, biznesmenët dhe qytetarët do të përfitojnë nga një mbështetje më e madhe, veçanërisht në sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë, ku ai ka premtuar pesëfishimin e subvencioneve për ta.

Ai gjithashtu ka premtuar që do të eliminohen kufizimet për përfitimin e subvencioneve, duke mundësuar që çdo fermer, pavarësisht nga madhësia e fermës së tij, të mund të përfitojë mbështetje financiare.

“Do të pesëfishojmë në mënyrë absolute, vendimi i 100 ditëve të para do të jetë 5-fishimi i çdo subvencioni për ju. Pse kjo? Sepse, fermerët e Maqedonisë së Veriut, që i keni këtu fqinjë, subvencionohen 5 herë më shumë se ju. Sepse, fermerët në Kosovë subvencionohen 4 herë më shumë se sa ju. Sepse fermerët në Serbi subvencionohen 6 herë më shumë se sa ju. Atëherë, që ju t’i dilni zot garës, që ju të konkurroni në treg, duhet të keni gjithë këtë mbështetje.

Do subvencionojmë për çdo njësi prodhimi. Për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti. Hiqet çdo kriter teokratik, se duhet të kesh 10 lopë, se duhet të kesh 100 dele, se duhet kesh kaq dhe aq hektarë. Jo! Për çdo krerë bagëti do marrësh subvencione. Për çdo fidan që të mbjellë, do marrësh subvencione. Për çdo prodhim do marrësh subvencione”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme