Berisha zotohet nga Kuçova: Pensionet dhe rrogat do të jenë të barabarta me vendet e tjera të Ballkanit

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Sali Berisha nga Kuçova ka ftuar sërish në debat publik Edi Ramën, për të dalë dhe prezantuar kandidatët.

Duke folur mbi programin e PD-së për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Berisha tha se programi fillon me dhembshurinë.

“Ndaj dhe ne i japim fjalën e nderit çdo pensionisti dhe pensioniste, çdo të papuni, çdo njeriu në ndihmë ekonomike, çdo fëmije me një prind, çdo studenti me bursë se 100 ditët e para do të kenë minimumin jetik, apo pensionin minimal, apo bursën 200 euro. Se në 100 ditët e para në këtë vend, do të vendoset rroga minimale 500 euro dhe do të shkohet dhe rroga mesatare 1200 euro. Miq, çfarë po bëjmë ne me këto. Nuk po bëjmë asgjë tjetër, veç po kthejmë tek ju paratë që marrim nga ju. Ato janë taksat tuaja, janë mundi juaj, janë djersa juaj, janë kafshata juaj që e paguani në çdo gjë. Dhe çdo qeveri e përgjegjshme para jush, në Shqipëri apo në botë, ka detyrë që një pjesë të mirë të atyre që u merr të ua kthejë ju përsëri. Miq, nuk dua të ndalem në vitet e shkuara, por një gjë u them; pikërisht për të zbatuar këtë detyrim ne dyfishuam rrogat në vitet 2006-2013.”

Berisha tha se Rama nuk del në debat me të se “është i tmerruar”.

“Diçka është bërë se nuk mund të themi zero. Por edhe ata që janë bërë janë bërë me më pak se 9 herë që duhet të ishin. Kanë vjedhur 90% të taksave tuaja. Ndaj edhe burreci dy metrash. I them burrec se e meriton kam ftuar… e ftoj edhe sot. Hajde takohemi këtu në Kuçovë, të japim llogari të dy. Të shpjegojmë programin. Ti ke 12 vite që ke qeverisur, unë kam 12 vite që skam qenë në pushtet. Urdhëro! Tregoj qytetarëve çfarë ke bërë dhe çfarë do të bësh. S’del dot. Nuk ia mban. Flet me vete çdo mëngjes me veten, sy më sy. Së dyti, ju e konstatoni, kalojnë nga një shesh në një tjetër, me një tufë fjalësh banale, të turpshme, sikur jo kryeministër, por mund ti vësh çdo epitet.”

Berisha e veçoi programin e PD-së dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore si programin më të mirë që është paraqitur ndonjëherë para shqiptarëve. Ai tha se është pritur mirë edhe nga shqiptarët në Greqi.

“Sot në mëngjes e nisëm fushatën në Selanik. Qindra, mijëra vëllezër, motra tona, erdhën të dëgjonin programin e partisë dhe të aleancës tonë, erdhën më të vendosur se kurrë për të votuar me 11 maj, shpëtimin e Shqipërisë, ndryshimin e madh për të votuar, ndarjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga një e keqe e madhe që po shkreton çdo javë, çdo muaj më shumë, Kuçovën, Beratin dhe Shqipërinë. Më të vendosur se kurrë për të votuar me 11 maj, ndryshimin dhe ndarjen nga një e keqe që po i rrëmben kombit të ardhmen dhe rininë e tij.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme