Arkëtimet e bashkive gjatë 2024 – Klosi, Lezha dhe Tepelena me rritjen më të madhe të të ardhurave

Ekonomi | 2 vite më parë

Gjatë vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, bashkitë e Klosit, Lezhës, Tepelenës, Fushë-Arrëzit, Roskovecit dhe Kurbinit kishin rritjen më të lartë të të ardhurave të veta vendore, ndërsa në anën tjetër, bashkitë e Pustecit, Poliçanit, Rrogozhinës, Këlcyrës, Përmetit dhe Dropullit kishin rënien më të madhe të hyrjeve nga taksat vendore në krahasim me vitin 2023.

Klosi, edhe pse një bashki e vogël me një program të ardhurash vendore rreth 70 milionë lekë për vitin 2024, raportohet se kishte rritjen më të madhe të arkëtimeve nga taksat e veta.

Bashkia e Lezhës është e dyta në rang kombëtar për rritjen e të ardhurave vendore nga burimet e veta, me gati 80 për qind më shumë se në vitin 2023. Në këtë rritje ka ndikuar pozitivisht shtimi i strukturave akomoduese në bregdetin e Shëngjinit.

Bashkia e Tepelenës u rendit e treta në rang kombëtar për rritjen e të ardhurave vendore me rreth 78 për qind në vitin 2024 në krahasim me vitin 2023.

Nga të 61 bashkitë, në 49 prej tyre u rritën të ardhurat, ndërsa 12 pësuan rënie. Performancën më të dobët fiskale në 2024 e kishte bashkia e Pustecit me rënie të arkëtimeve nga burimet e veta me 7 për qind.

E dyta për rënien më të madhe të të ardhurave ishte bashkia e Poliçanit, e ndjekur nga Rrogozhina.

Në bashkitë e mëdha me qendër qarku, të ardhurat u rritën ndjeshëm të ndikuara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Në bashkinë e Tiranës të ardhurat nga burimet e veta në vitin 2024 u rritën 31 për qind në krahasim me vitin 2023; në bashkinë e Durrësit me 28 për qind; në Elbasan me 26 për qind dhe në bashkinë e Shkodrës me 21 për qind.

Bashkitë në të gjithë vendin grumbulluan nga të ardhurat e veta 44,4 miliardë lekë në vitin 2024 ose 27 për qind më shumë se në vitin 2023.

Në vitin 2024 treguesi i autonomisë financiare në pushtetin vendor arriti në 60 për qind nga 51 për qind që ishte në vitin 2023.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme