Hapet rruga për koalicionin e madh në Gjermani. Lideri i SPD mbështet Merz, bëhet zëvendëskancelar
84,6 për qind e anëtarëve të Partisë Socialdemokrate (SPD) janë shprehur pro marrëveshjes së koalicionit me kristiandemokratët dhe konservatorët e CDU/CSU për qeverinë e re gjermane.
Kryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, do të jetë zëvendëskancelar dhe ministër i Financave në kabinetin e ri. Presidiumi i SPD-së votoi njëzëri për këtë.
Klingbeil pritet deri të hënën që të paraqesë listën e personelit për koalicionin e ardhshëm. SPD-ja pësoi humbje të konsiderueshme në zgjedhjet federale dhe do të përfaqësohet me shtatë ministra në qeverinë e ardhshme.
Me pranimin e marrëveshjes së koalicionit me CDU/CSU-në, anëtarët e SPD-së i hapën rrugën ekzekutivit me në krye Friedrich Merz. Vendosja e Merz si kancelar dhe betimi i kabinetit në Bundestag janë planifikuar për të martën tjetër.
Si SPD-ja, ashtu edhe konservatorët e përjashtojnë mundësinë e qeverisjes me ekstremin e djathtë, Alternativën për Gjermaninë, e cila arriti rezultatin historik duke dalë e dyta.
Presioni për të formuar një qeveri funksionale ka marrë një urgjencë të re në një kohë të një ekonomie të dobët gjermane, papunësisë në rritje dhe turbulencave globale të shkaktuara nga tarifat gjithëpërfshirëse të importit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Gjatë dy javëve të fundit, anëtarët e SPD-së kanë votuar për traktatin e koalicionit të hartuar nga udhëheqësit e të dyja partive.
Në votimin, i cili përfundoi të martën pak para mesnatës, 84% e anëtarëve që morën pjesë ishin në favor të marrëveshjes, tha partia, duke shtuar se 56% e rreth 360,000 anëtarëve morën pjesë në votim.
“Në këto kohë shumë të vështira në politikën globale, ne mbajmë përgjegjësi për sigurinë tonë, për rritjen ekonomike, vendet e sigurta të punës dhe mundësitë e barabarta“, tha Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Matthias Miersch.
Partia do të emërojë gjashtë poste të tjera në kabinet që i takojnë deri më 5 maj. Boris Pistorius, ministri i mbrojtjes në qeverinë në largim, ka të ngjarë ta mbajë postin e tij.
“Unë besoj se tani i kemi dhënë fund një procesi që do të kulmojë javën tjetër me formimin e një qeverie të qëndrueshme në Republikën Federale të Gjermanisë“, tha Miersch.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




