Berisha: Rikthimi i rinisë në vendlindje, një nga qëllimet e programit të PD

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në takimin me banorët e degëve nr. 1, 3 dhe 14, në sheshin “Shtraus” (Xhamlliku) në Tiranë, ku dhe prezantoi programin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, deklaroi se rikthimi i rinisë në vendlindje është një nga qëllimet e programit të kësaj partie.
“Mbi 600 mijë të rinj shqiptarë, morën rrugët e botës sepse ëndrrën e tyre nuk e ndërtonin dot në Shqipëri. Pra, ëndrra, nga një ëndërr shqiptare, u shndërrua në një ëndërr që duhet të realizohej në dhera të tjera. Kjo merr fund. Besimi juaj, zonjushë tek programi i PD është një detyrim shumë madhor për ne, dhe unë ju jap fjalën se me këtë program, qëllimin më të madh, më final e kemi t’i kthejmë kombit rininë e tij, ta bëjmë edhe njëherë kombin të ri, siç duhet të jetë. Dhe kombi bëhet i ri atëherë kur moshatarët e tu, të vendosin të ndërtojnë ëndrrën shqiptare në Shqipëri”, tha Berisha.
Më tej, kreu i PD-së, premtoi mbështetje për studentët për nisjen e universitetit apo dhe punësimin pas diplomimit.
“Dhe ne kemi një program që çdo i ri të shkollohet me një arsim cilësor, me dyfishim të buxhetit të arsimit. Nuk do ketë mësues me rrogë minimale nën 1500 euro. Nuk do ketë mesatare që do t’ju pengojë të hyni në universitete. Qeveria do bëjë gjithçka që pas përfundimit të studimeve ju të punësoheni, do paguajë sigurimet shoqërore te punëdhënësit tuaj për një vit. Do ketë fonde dhe grante për startup-et tuaja dhe suksesin tuaj”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike po ashtu premtoi mbështetje edhe për çdo çift të ri që vendosin të nisin rrugëtimin në vendin e tyre.
“Kombi në moshën e rinisë së tij kërkon që ata qindra mijëra të rinj që ikën, u larguan, të rikthehen në vendin e tyre, t’i rikthehen ëndrrës shqiptare. Investimet e tyre në Shqipëri për pesë vite do jenë pa asnjë taksë. Kredi të buta dhe grante do u ofrohen atyre për strehim, për biznese, për suksesin e tyre. Ju garantoj se për fëmijën e parë do ketë një bonus 70 euro. Për fëmijën e dytë një bonus 60 euro. Për fëmijën e tretë dhe të katërt, të gjitha shpenzimet nga lindja gjer në moshën 23-vjeçare do jenë nga shteti”, nënvizoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




