Shefi i NATO-s paraqet një plan shpenzimesh me dy nivele për të përmbushur objektivin e Trump

Botë | 2 vite më parë

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, propozon një plan shpenzimesh me dy nivele për të përmbushur objektivin e Trumpit.

Sipas Reuters, Rutte, u ka propozuar anëtarëve të aleancës të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 3.5% të PBB-së dhe të shpenzojnë 1.5% të tjera për artikuj të tjerë që lidhen me mbrojtjen, për të përmbushur kërkesën e Donald Trump për një objektiv prej 5%, thanë për Reuters njerëz të afërt të Mark Rutte.

Propozimi i Rutte mund t’i lejojë presidentit amerikan të shpallë një fitore në samin e NATO-s në Hagë në qershor.

Ndërkohë, ky plan nuk i angazhon vendet evropiane dhe Kanadanë për një premtim prej 5% për shpenzimet thelbësore të mbrojtjes, të cilin shumë e shohin si të paqëndrueshëm politikisht dhe ekonomikisht .

Objektivi aktual i NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes është të paktën 2% e PBB-së, objektiv i përmbushur nga 22 nga 32 anëtarët e saj.

Por udhëheqësit në të gjithë NATO-n thonë se ky objektiv nuk është më i mjaftueshëm, pasi e shohin Rusinë si një kërcënim shumë më të madh pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Zyrtarët thanë se mund të përfshijë shpenzime për përmirësimin e rrugëve dhe urave për të mbështetur transportin e automjeteve të rënda ushtarake.

E pyetur nëse NATO mund të konfirmonte që Rutte kishte bërë propozimin, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, nuk u përgjigj drejtpërdrejt.

Ajo tha se Rutte kishte “thëne vazhdimisht se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes është e nevojshme për të përmbushur objektivat e aftësive që aleatët do të bien dakord së shpejti dhe për të siguruar një ndarje më të drejtë të barrës midis aleatëve“.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme