Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, OSBE: Media e pavarur është thelbësore për demokracinë

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit shënohet çdo 3 maj, një ditë që synon rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e medias së pavarur, lirisë së shprehjes dhe raportimin e saktë dhe të paanshëm të informacionit. Kjo ditë na kujton rëndësinë që ka liria e informacionit dhe e drejta për t’u informuar.
Në kudër të kësaj dite edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka theksuar rëndësinë e lirisë së shprehjes duke e cilësuar si thelbësore për një demokraci të qëndrueshme.
OSBE vlerëson përpjekjet për mbrojtjen e gazetarëve dhe rritjen e rolit të medias në vendin tonë, por thekson se ka ende shumë punë për të bërë pasi disa sfida mbeten ende një problem real.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ripohon se liria e shprehjes dhe media e pavarur janë thelbësore për një demokraci të gjallë dhe të qëndrueshme. Ne mirëpresim hapat e fundit të ndërmarra për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve, duke përfshirë caktimin e një pike kontakti të dedikuar të Policisë së Shtetit për sigurinë e gazetarëve. Këto janë zhvillime të rëndësishme, por disa sfida mbeten. Profesionistët dhe organizatat e medias vijojnë të përballen me kërcënime dhe trysni, duke nënvizuar nevojën urgjente për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të mbështetur një mjedis mediatik pa presione politike dhe ekonomike, ku të mund të lulëzojë gazetaria e pavarur”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
Në fokus të një media të pavarur, thotë OSBE, është edhe raportimi i paanshëm dhe etik i informacionit të saktë. Sipas OSBE, gazetarët luajnë një rol të madh në kërkimin e llogaridhënies së pushtetit, ndërsa shton se duhen platforma që promovojnë gazetarinë e mirë në vend.
“Po aq jetik është edhe roli i raportimit të saktë, të paanshëm dhe etik përmes mekanizmave efektivë vetërregullues që mundësojnë debat publik të informuar dhe angazhim qytetar. Gazetarët luajnë një rol kyç në vënien e pushtetit përballë llogaridhënies dhe besimi i publikut në punën e tyre varet nga përkushtimi i fortë ndaj standardeve profesionale dhe etike. Me këtë rast, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson mbështetjen e saj për nismat reformuese dhe platformat e dialogut që mbrojnë lirinë e shtypit dhe promovojnë gazetarinë e përgjegjshme në Shqipëri”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
Një ditë më parë edhe raporti i Reporterëve pa Kufij për 2025 vlerësoi se liria e shprehjes në Shqipëri kishte përmirësim të ndjeshëm duke u ngritur me 19 vende dhe renditur në pozicionin e 80-të nga 180 shtete të monitoruara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




