Transformimi i Aeroportit të Tiranës, Rama inspekton punimet: Do jetë më i bukuri në Europë

Aeroporti i Tiranës (TIA), aeroporti me trafikun më të madh të pasagjerëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor, po i nënshtrohet edhe një procesi transformimi dhe zgjerimi përmes arkitektit italian, Marco Casamonti.
Kryeministri Edi Rama inspektoi nga afër projektin inovativ, që është edhe një “derë pritëse” për të gjithë turistët dhe qytetarët që hyjnë në vendin tonë.
Rama vlerësoi punën e bërë dhe u shpreh se aeroporti do të jetë ndër më të bukurit në Europë.
“I paparë. Do të jetë më i bukuri në Europë, por edhe fiton goxha hapësirë terminali”, tha Rama.
Aeroporti do të ketë edhe një parkim të ri nëntokësor me dy kate me mbi 1000 vende për automjetet
“Ky është vetëm fillimi dhe do të zgjatohet për 500 metra deri tek kulla. Do të eliminojmë të gjitha parkingjet këtu pas dhe do të shkojë edhe 500 metra më tej me këtë mbulim. Tani do të na duhet të përfundojmë me xhamat dhe ndriçimin. Të kam dërguar dhe një video dhe gjatë natës ndriçohet e gjitha. Do të përdorim këtë (fasada e jashtme) për të shkruar dhe për të treguar pamje nga Tirana. Tani mungojnë vetëm xhamat e kuq dhe ky shesh do të jetë flamuri i kuq shqiptar me një gjatësi gjysmë kilometri, me granit e mermer , e madhe, me një shqiponjë që lëviz”, shpjegoi arkitekti.
Gjithashtu sheshi që do të ndërtohet dhe arkitektura e fasadës së aeroportit do të ndërthuret me elementë kombëtarë.
“Sheshi do të jetë vetëm kuq e zi, flamuri shqiptar më i madh i ndërtuar me pixel. Nga brenda do të ketë dhe objekte të mëdha e të vogla, ndërsa nga jashtë do të jetë një xhevahir. Ky do të jetë një shesh i mbuluar. Unë dua që të ndërtoj aeroportin më të bukur të Europës“, u shpreh arkitekti Casamonti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




