Përshkallëzohet konflikti ushtarak Indi–Pakistan, SHBA ofrohet të bëjë ndërmjetësin

Tensionet ushtarake mes Indisë dhe Pakistanit janë përshkallëzuar edhe më shumë gjatë kësaj të shtune. Ushtria e Pakistanit deklaroi se kishte nisur operacion sulmi si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me raketa nga India, që sipas autoriteteve pakistaneze kishin shënjestruar edhe një bazë pranë kryeqytetit Islamabad.
Nga ana tjetër, India deklaroi se ka reaguar në mënyrë efektive ndaj sulmeve dhe akuzoi Pakistanin për shënjestrim të infrastrukturës civile, përfshirë spitale dhe shkolla në Kashmir.
Më herët, ministri i Jashtëm i Pakistanit bëri thirrje për ndalim të veprimeve përshkallëzuese nga të dyja palët, duke deklaruar se “nëse India ndalet, ndalemi edhe ne”.
Edhe ndërkombëtarët kanë reaguar për këtë konflikt duke kërkuar nga palët që të ndalen. G7 dhe BE lëshuan një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë “përmbajtje maksimale” dhe deeskalim të menjëhershëm. Edhe Kina shprehu “shqetësim të thellë” për situatën dhe u zotua të luajë një rol konstruktiv në uljen e tensioneve.
Ndërsa SHBA është ofruar të bëjë ndërmjetësin mes palëve për të mundur të ndalin konfliktin. Sekretari i Shtetit Marco Rubio foli me Ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Ishaq Dar, në telefonata të ndara, gjatë të cilave ai “theksoi se të dyja palët duhet të identifikojnë metoda për të ulur tensionet dhe për të rivendosur komunikimin e drejtpërdrejtë për të shmangur llogaritjet e gabuara”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




