Dyshimet për hetim dhe sekuestrim të celularit nga SPAK, kryebashkiaku i Vaut të Dejës mohon kontrollet ndaj tij

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli mohon se ka qenë pjesë e kontrolleve nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, në dyshimet për përfshirje të zyrtarëve të lartë në krime zgjedhore.

Ai thotë se, është i gatshëm të bashkëpunojë me çdo instancë shtetërore ndërsa ndodhet në terren, aty ku banorët e kanë votëbesuar për të shërbyer.

“Jam në krye të detyrës, jam i gatshëm për bashkëpunim me të gjithë instancat qeveritare. Po bëj punën që na ka votuar populli dhe të kryejmë detyrën që na është dhënë dhe besuar nga populli”, tha kryebashkiaku i Vaut të Dejës.

Lidhur me vënien nën hetim të Shkrelit apo sekuestrimin e celularit të tij, SPAK nuk ka bërë asnjë koment, ndonëse RTSH kontaktoi me zyrën e shtypit.

Prej ditësh, SPAK dhe BKH kanë zbarkuar në terren për të evidentuar çdo rast të krimeve zgjedhore, ku po hetojnë 39 kallëzime për krimet zgjedhore, ku 17 kallëzime janë  dërguar për verifikim në polici ndërsa për 25 kallëzime u vendos mos fillimi i hetimit. 

Në total numërohen 156 materiale hetimore, ku në 39 procedimet penale të regjistruara,  21 janë mbi bazën e referimit të policisë, 1 nga SHKB e burgjeve, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK, 3 kallëzime nga qytetarët dhe 3 kallëzime nga subjektet politike.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme