Hasani pret homologen daneze: Forcojmë bashkëpunimin për integrimin e Shqipërisë

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka mikpritur Ministren për Çështjet Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre, me të cilën ka diskutuar rreth konteksteve të reja gjeopolitike, sfidat e sigurisë dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Vizita e Ministres Bjerre përkon dy ditë përpara Konferencës së Pestë Ndërqeveritare në Bruksel midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, ku parashikohet të çelet zyrtarisht Grup-Kapitulli 3, i cili lidhet me “Konkurrueshmërinë dhe Rritjen Gjithëpërfshirëse” dhe përfshin 8 kapituj të tjerë që hapen.
“Ky hap përbën një tjetër fazë të rëndësishme në procesin tonë të negociatave për anëtarësim në BE – një proces në të cilin Shqipëria jo vetëm po ecën në rrugën e duhur, por po shpejton me siguri, duke i qëndruar edhe objektivit madhor: që brenda këtij viti çelim edhe grup-kapitujt e mbetur, ndërsa brenda vitit 2027-të i përfundojmë negociatat duke pasur 2030-tën si pikën më të fundit kur Shqipëria ulet si e barabartë mes të barabartëve në tryezën e vlerave të Bashkimit Evropian”, u shpreh Hasani.
Gjatë bashkëbisedimit, Ministri Hasani ka shprehur gjithashtu mirënjohjen ndaj mbështetjes daneze për integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa ka nënvizuar gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin pas marrjes më 1 Korrik të presidencës së BE-së nga Danimarka.
“Ne jemi besimplotë se nën udhëheqjen e Danimarkës, procesi i zgjerimit do të vazhdojë të qëndrojë lart në agjendën e BE-së”, tha Hasani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



