AMA marrëveshje bashkëpunimi me ISHP, Krasniqi: Angazhim për zbatimin e ligjit mbi kushtet e punës dhe mbrojtjen e gazetarëve

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, ka nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimi me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Kjo marrëveshje synon forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, për marrjen e masave, me qëllim rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit në sektorin e mediave audiovizive, në funksion të zbatimit të dispozitave ligjore që lidhen me kushtet e punës, mbrojtjen e punëmarrësve në ushtrimin e profesionit të tyre, pagat, sigurimet dhe mirëqenien në punë.

Ndër të tjera, në këtë bashkëpunim është përfshirë edhe organizimi i aktiviteteve informuese dhe ndërgjegjësuese të përbashkëta, edhe me pjesëmarrjen e aktorëve të tjerë të interesuar, me fokus rolin dhe detyrimet e secilit institucion në sektorin e mediave audiovizive, si dhe të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga legjislacioni i punës; hartimin, miratimin dhe shpërndarjen e materialeve informuese; shkëmbimin në mënyrë efikase të informacioneve të nevojshme të sektorit për të identifikuar llojet e mediave, strukturat, rolet dhe përgjegjësitë përkatëse etj.

Diskutimet me kreun e ISHPSHSH, Eljo Muçaj, u mbyllen me angazhimin e përbashkët për fuqizimin e bashkëpunimit në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor dhe rregullator institucional, me qëllim rritjen e efektivitetit në zbatimin e dispozitave të legjislacionit të punës në sektorin e mediave audiovizive. Pa u kufizuar, bashkëpunimi në këtë drejtim përfshin edhe organizimin e takimeve periodike me sindikatat, përfaqësuesit e punëmarrësve dhe punëdhënësve, me qëllim vlerësimin dhe propozimin e nevojës për ndryshime në kuadrin ligjor dhe rregullator, që synojnë forcimin e zbatueshmërisë së të drejtave të punës dhe përmirësimin e kushteve të punës në këtë sektor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme