Operacion antidrogë Shqipëri-Itali, 51 urdhërarreste. Të përfshirë edhe punonjës të policisë. Sekuestrohen bare, restorante e shoqëri tregtare

Aktualitet | 1 vit më parë

Një operacion i gjerë antidrogë është ekzekutuar mëngjesin e sotëm (21 maj) në Itali dhe Shqipëri, i drejtuar nga Antimafia e Barit dhe autoritetet shqiptare në bashkëpunim me Interpolin. Operacioni i koduar “Ura” ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti të trafikut të heroinës e kokainës mes Shqipërisë, Italisë, disa vendeve të tjera të BE-së dhe Amerikës së Jugut.

Në total, në Shqipëri dhe Itali, janë lëshuar 51 urdhërarreste, 1 urdhër ndalimi, ndërsa janë ekzekutuar masat për 42 persona. Mes personave të arrestuar janë edhe pjesëtarë të rëndësishëm të kësaj organizate kriminale, por për 10 prej tyre nuk janë ekzekutuar ende masat e sigurimit.

Në një konferencë për mediet, SPAK bëri me dije se qendra e grupit kriminal ishte qyteti i Durrësit, ndërsa prokurori i çështjes, Vladimir Mara, tha se të përfshirë rezultojnë edhe dy punonjës të Policisë së Shtetit, njëri prej tyre në një pozicion të rëndësishëm. Një prej efektivëve, sipas hetimeve, rezulton të ketë qenë pjesë e grupit kriminal me veprime aktive, ndërsa efektivi tjetër akuzohet për korrupsion. Po ashtu është arrestuar edhe një avokat në Durrës.

SPAK sqaroi se veprimtaria e grupit fillimisht u shtri në territorin italian e më pas u zgjerua edhe në Gjermani, Belgjikë, Holandë dhe në Amerikën e Jugut. Llogaritet se një vlerë prej rreth 5 milionë euro është qarkulluar nga kjo organizatë kriminale nga Italia apo vende të tjera të BE-së, drejt Shqipërisë.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një televizion në qytetin e Vlorës. Po ashtu, më parë janë sekuestruar edhe 3 milionë euro kesh të ardhura nga grupi kriminal.

Lidhur me pastrimin e parave,  kryeprokurori i Barit, Roberto Rossi tha se ato dërgoheshin në Shqipëri me pako përmes linjave të autobusëve.

“Kemi parë që paratë nga Bari shkonin të shoferët e autobusëve dhe përmes autobusit vinin në Shqipëri. Fluksi i parave është kuptuar nga të gjitha të dhënat e marra nga bisedat në celularët e tyre, ku rezultonte se përveç trafikut të drogës ata bënin edhe pastrimin e parave. Bashkë me pakot e parave të dërguara kishte edhe disa letra të shkruar me dorë për sa i përket të dhënave ekonomike të grupit. Përmes rindërtimit të të ardhurave nga shitja e lëndëve narkotike arritëm të sekuestrojmë pasuritë me shumën e barasvlershme të veprës penale”, tha prokurori italian në krye të operacionit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme