Interes për të vizituar Muzeun Historik e Etnografik të Kolonjës, mbi 800 objekte në fondin e tij

Aktualitet | 1 vit më parë

Muzeu Historik dhe Etnografik në qytetin e Ersekës ka qenë me interes për t’u vizituar, kryesisht nga vizitorë të huaj që përshkojnë rrugën Korçë-Përmet dhe ndalen edhe në këtë qytet.

Ai mbart në fondin e tij mbi 800 objekte, që nga dorëshkrime dhe dokumente që dëshmojnë për arsimin, patriotët e zonës, pasuri të gjetura nga gërmimet arkeologjike e deri tek pjesa e etnografisë me kostumet popullore, veglat e punës, instrumente muzikorë, e të tjerë.

“Doja ta shihja këtë muze, sepse jam në dijeni të masakrës së Borovës, doja të dija më tepër rreth kësaj historie. Kam lexuar që fashistët gjermanë bënë një masakër në këtë fshat dhe kjo gjë është shumë e shëmtuar”, shprehet turistja.

Restauratorja njëkohësisht edhe cicerone e muzeut, Adriana Komini thotë se një ndihmesë e madhe për të rritur vizitueshmërinë në këtë muze, do të ishte përfshirja e një informacioni për të, në guidat turistike.

“Nuk e dinë që një qytet i vogël do ketë një muzë kaq të pasur si nga ana arkeologjike, etongrafike, historike dhe me këtë traditë”, shprehet Komini.

Ky muze është ngritur në 10 shkurt të 1962 dhe drejtor i tij ka qenë Vangjel Qirjaqi. Ndër emrat që kanë dhënë kontribut për pasurimin e tij kanë qenë arkeologu profesor Skënder Aliu, etnografi profesor Bardhyl Prifti, historiani Jorgji Qirjako, restauratori Agim Nebiu, e të tjerë.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme