Mjekët: Defekte të lindura në zemër, rrezik për adoleshentët me vese. Kontrolle që 1 vjeç

Sociale | 1 vit më parë

Jeta plot vese e adoleshentëve të sotëm siç janë pijet energjike, alkooli, shisha dhe lëndët narkotike, përveç se po shton numrin e konsultave për shqetësime në zemër në kardiopediatrinë e QSUT-së, po mbjell edhe fatkeqësi.

Rastet e humbjes se jetës që shqetëson jo pak opinionin publik. Këtë fillim vit shihen nga mjekët kardio-pediatër si komplekse dhe të ndërthurura edhe me faktorë të tjerë që në lindje.

“Natyrisht janë bërë mediatike edhe disa raste të një përfundimi jo të mirë, deri në humbjen e jetës të një pjese të adoleshentëve. Këtu ndërthuren disa faktorë. Këta adoleshentë kanë qenë bartës të një defekti të lindur në zemër por të padiagnostikuar më parë të cilët nën efektin e konsumimit të një pije energjike, apo alkoolit, apo eforti fizik të pakëshilluar, të një stili jetese me një dietë aspak të shëndetshme që i shohim shumë shpesh tek adoleshentët, kanë dhënë një përfundim të tillë ekstrem deri në humbje të jetës së këtyre fëmijëve“, tha Numila Maliqari, shefe e klinikës së kardio-pediatrisë në QSUT.

Defektet e lindura në zemër jo gjithmonë janë të diktueshme që në lindje, ndaj mjekët duke parë stilin e jetesës aspak të shëndetshëm të adoleshentëve apelojnë për kontrolle të fëmijëve përpara se të jetë vonë.

“Ne këshillojmë që sidomos tek fëmijët që merren me sport, duhet të bëhet një ekzaminim kardiologjik i zemrës. Për të gjithë fëmijët rekomandohet që në vitin e parë ose të dytë të jetës të bëhet një kontroll nëse janë bartës të ndonjë defekti të lindur në zemër ose jo, përveç rasteve kur mjeku pediatër dyshon për ndonjë shenjë apo zhurmë. Kështu arrijmë ti kapim në kohë“, shtoi mjekja.

Statistikat tregojnë se përgjatë një viti në Shqipëri lindin rreth 200 – 250 fëmijë me defekte në zemër, por jo të gjithë kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Në qoftë se ky defekt është serioz dhe nuk trajtohet këta fëmijë, herët a vonë shkojnë drejt humbjes së jetës aq më tepër nëse ndikohet nga faktorë të dëmshëm.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme