Komedia satirike “Zullulandia”, premierë në Teatrin Eksperimental

Kulturë | 1 vit më parë

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ka sjellë në skenë premierën e shfaqjes “Zullulandia”, një komedi satirike që ndërthur mjeshtërisht realitetin absurd të shoqërisë shqiptare me motivet brilante të Faik Konicës.

Nën regjinë dhe dramatizimin e Endri Çelës, “Zullulandia” sjell një tablo groteske të një vendi imagjinar në Afrikën e Lindjes, që aspiron t’i ngjajë Europës, por përfundon duke eksportuar injorancën e vet me krenari.

Me një skenografi të kuruar nga Beqo Nanaj, shfaqja merr jetë përmes interpretimit të aktorëve Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili dhe Anxhelo Dauti.

Regjisori Çela theksoi se “Zullulandia” nuk është thjesht një komedi, por një thirrje për reflektim.

“Shfaqja bazohet mbi motivet e veprës së Faik Konicës. Është e përshtatur nga unë dhe e pasuruar nga copëza nga realiteti i viteve të fundit dhe sidomos të ditëve të sotëme. Është një komedi e cila flet për zullurdinë politike, për rrëmujën sociale dhe për individin i cili përpiqet të gjejë vendin në këtë rrëmujë, por që nuk e gjen”, shprehet regjisori.

Aktori, Neritan Liçaj u shpreh se kjo vepër është një nga më të guximshmet që ka interpretuar.

“Është shumë aktuale sepse të mendosh që kjo vepër është shkruar gati një shekull më parë dhe është po aq aktuale. Kritika e madhe, dashamire ndaj kombit tonë, është vërtet që të bën të reflektosh prandaj dhe kjo merr vlera në skenë si dramatizim”, tha aktori.

Shfaqja ka ngjallur interes të lartë nga publiku që kërkon jo vetëm argëtim, por edhe një dozë të fortë të së vërtetës sonë të përbashkët.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme