Hakerët tentuan të hyjnë në sistemet e KQZ, Celibashi: Sulme të sofistikuara nga jashtë, i zmbrapsëm të gjitha

Aktualitet | 1 vit më parë

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka bërë me dije se platformat e institucionit u tentua të komprometohen nëpërmjet sulmeve kibernetike gjatë periudhës zgjedhore.

Në një konferencë për mediet, ku informoi rreth procesit të votimit nga jashtë, Celibashi u shpreh se sulmet erdhën nga jashtë vendit.

“Platformat e KQZ, duke filluar nga ajo e regjistrimit të votuesve nga jashtë, janë gjendur nën sulme kibernetike. Kemi komunikuar me institucionet përkatëse, si ato të sigurisë kibernetike, por dhe ata që merren me ndjekjen ligjore të këtyre rasteve. Kishim 192 milionë kërkesa të regjistruara në 7 ditë. Kemi pasur pikun prej 5.700 kërkesa në sekondë dhe nga të dhënat rezulton që një pjesë e madhe e këtyre sulmeve nuk kanë qenë sulme diletantësh, por të organizuara dhe të sofistikuara nga jashtë. Kanë qenë të krahasueshme me sulmet që kanë pasur edhe vendet e tjera”, tha ai.

Ai theksoi se megjithatë asnjë nga sistemet e KQZ-së nuk është prekur.

“Ia kemi dalë të kemi zero implikim në sistemet tona. Ja kemi dalë që t’i zmbrapsim të gjitha këto sulme, qoftë në rastet e PER, që ka ofruar siguri të plotë, por edhe aplikacionet e tjera të KQZ, përfshirë dhe faqen, modulin e transmetimit të rezultateve. Informacioni ka qenë i pandërprerë, nuk ka pasur raste të rënies së faqes apo aplikacione të tjera që përdor KQZ”, deklaroi ai.

Sa i përket votimit nga jashtë, Celibashi e konsideroi “model” administrimin e procesit nga KQZ-ja. Për pretendimet e partive politike, ai tha se kushdo është i lirë të ankohet duke paraqitur provat.

“Administrimi i këtij procesi nga KQZ-ja është model nga çdo pikëpamje. Kemi të gjithë dokumentacionin apo elemente të tjera që e konfirmojnë këtë. Duke thënë këtë nuk dua të dekurajoj askënd dhe njoh të drejtën e gjithkujt për ta kontestuar dhe për të prezantuar çfarë është mbështetëse e pretendimeve, për çfarë mendon subjekti se nuk është zhvilluar siç duhet. Çfarë është zhvilluar nën përgjegjësinë e KQZ-së jap garanci të plotë që standardi, integriteti është i plotë. Jemi gati t’i japim përgjigje çdo lloj kërkese për çdo aspekt që KQZ e ka pasur nën përgjegjësinë vet”, tha ai.

Sa i përket shpërndarjes së zarfeve postare me materialin zgjedhor, Celibashi tha se u dërguan në 85 shtete, përveç Rusisë. 92% e të regjistruarve në platformën e KQZ-së, sipas Celibashit, e morën zarfin.

“Janë 85 shtete të botës dhe nga çdo kontinent nga ku u regjistruan votuesit nga jashtë. Nuk mundëm të dërgonim dokumentacionin zgjedhor vetëm në Rusi, 16 zgjedhës me vendbanim në Moskë. 92% e atyre që u regjistruan në listën e zgjedhësve nga jashtë e kanë marrë dokumentacionin zgjedhor. E kanë kthyer mbrapsht 82.2%, pra nëse për analogji e përkufizojmë këtë si pjesëmarrje, kanë marrë pjesë në votime 82.2%. Janë kthyer mbrapsht në KQZ, pra pa e marrë votuesit nga jashtë, 15250 zarfe, nga 18388 zarfe të cilët do të duhej t’i kthente shërbimi i DHL, deri tani”, shpjegoi Celibashi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme