Gjirokastër, policia prangos 2 shtetas, akuzohen për kontrabandë

Aktualitet | 1 vit më parë

Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Akciza”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.  Në kuadër të këtij operacioni janë gjendur në një magazinë dhe janë sekuestruar 1000 litra naftë, 1 kamion, 3800 litra vaj ushqimor dhe 170 litra alkool (raki).  

Policia ka vënë në pranga edhe 2 shtetas, pronari i magazinës dhe drejtuesi i kamionit. 

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, si rezultat i një pune hetimore të kryer bazuar në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative,  organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Akciza”. Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në magazinën e shtetasit A. Z., ku u konstatuan  kamioni i shtetasit P. Q., i mbushur me një sasi nafte, një depozitë me rreth 1000 litra naftë, pajisje për peshimin dhe shkarkimin e naftës, 3 800 litra vaj ushqimor dhe 170 litra alkool (raki), të dyshuara të kontrabanduara.”, njofton policia.    

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë (pronari i magazinës) dhe P. Q., 58 vjeç, banues në fshatin Qesarat (drejtuesi i kamionit), për veprat penale  “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të kryera në bashkëpunim.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme