Përfaqësuesja e lartë e Brukselit, Kallas: BE-ja ka filluar të heqë masat ndaj Kosovës, partitë të dalin nga ngërçi politik

Kosovë | 1 vit më parë

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, ka zhvilluar të enjten në vizitë në Prishtinë, ku ka folur për të ardhmen e Kosovës në BE dhe stabilitetin në rajon, i cili, sipas saj, “është i mundshëm vetëm përmes dialogut”.

Ajo informoi se BE-ja ka filluar gradualisht t’i heq masat ndaj Kosovës, të cilat janë vënë më 2023.

“Normalizimi marrëdhënieve duhet të jetë rruga e vetme për një të ardhme më të sigurt e prosperuese për njerëzit e këtij rajoni. Stabiliteti varet nga dialogu e jo nga konfrontimi”, tha përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas.

Sipas saj, BE-ja ka filluar gradualisht që t’i heqë masat ndaj Kosovës, të cilat hynë në fuqi në qershor të viti 2023, dhe tani janë mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës.

“Si shenjë e përkushtimit tonë mund t’ju njoftoj se BE-ja ka filluar gradualisht që t’i largojë masat që janë prezantuar në qershor të viti 2023. Tani do të jenë mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës. Por që Kosova të zhvillojë lidhjet me BE-në, kjo varet nga de-përshkallëzimi i situatës në veri të vendit”, tha Kallas.  

Kallas: Inkurajoj partitë të dalin nga ngërçi e të krijohen institucionet

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në konferencë për media tha se Kosova i përket familjes evropiane, por nuk ka rrugë të shkurtra për të arritur në BE. Ajo tha se përparimi arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme.

Sipas saj , Kosova duhet fillimisht të dorëzojë agjendën e reformave në mënyrë që të përfitojë nga Plani i Zgjerimit, por kjo tha ajo bëhet vetëm kur ka institucione funksionale, duke u bërë thirrje partive që të dalin nga ngërçi.

“Së pari, Kosova duhet të dorëzojë agjendën e reformave e pastaj do të jetë e pozicionuar ashtu siç duhet për të përfituar nga Plani i Zgjerimit, dhe që kjo të ndodhë, Kosova duhet të ketë institucione funksionale që në mënyrë efektive mund të zbatojnë reformat. Për këtë arsye i inkurajoj gjitha partitë politike që të dalin nga ky ngërç politik që Kosova të përfitojë nga përkrahja jonë”, tha ajo.

Kallas deklaroi se Kosova ka bërë një përparim të dukshëm për forcimin e institucioneve në vitet e fundit, si dhe misioni i EULEX vazhdon që të mbështesë sundimin e ligjit në Kosovë, por theksoi se “zhvillimet aktuale politike po e mbajnë  mbrapa vendin.”

Ajo theksoj se formimi i qeverisë është esencial për stabilitetin e Kosovës, si dhe për të ardhmen evropiane.

“I inkurajoj të gjithë aktorët politikë dhe tërë spektrin politik që të bashkëpunojnë ndërmjet tyre dhe me komunitetet e përfaqësuara në Kosovë”.

Kallas deklaroi se Bashkimi Evropian është i gatshëm që të përkrah Kosovën, por prapë theksoi se “udhëheqësit politik duhet të lenë anash ndarjet dhe ta kenë prioritet të ardhmen e Kosovës”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme