Kurti takon Kallas: BE të heqë plotësisht masat ndaj Kosovës, Serbia të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë

Kosovë | 1 vit më parë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, takoi mbrëmjen e djeshme (22 maj) në një darkë pune Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.  

Në fokus të bisedimeve mes Kurtit e Kallas ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, agjenda e reformave evropiane, si dhe Plani i Rritjes.

Kurti deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të heqë të gjitha masat ndaj Kosovës që kjo e fundit të mund të marrë statusin e vendit kandidat.

“Kryeministri theksoi se Kosova, krahas linjëzimit të politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, ka bërë progres të konsiderueshëm në reforma të brendshme, dhe se kjo evidentohet dhe dëshmohet edhe në raportet e vendit të BE-së.

Kryeministri e falënderoi znj. Kallas për njoftimin se BE ka nisur largimin gradual të masave kufizuese ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj në këtë drejtim, teksa shtoi se ato duhet të hiqen plotësisht dhe theksoi që Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë darkës së shtruar nga kryeministri, gjithashtu u diskutua edhe për procesin paszgjedhor në vend dhe angazhimet për formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Ndërkohë që rikujtoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë dhe se Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160-faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, duhet t’i dorëzohet Kosovës.

Kurti gjithashtu ngriti çështjen e shkeljeve të vazhdueshme dhe të rënda të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti i Serbisë dhe kërkoi që BE të bëjë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të luginës.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë zhvilloi të enjten një vizitë në Prishtinë, ku foli për të ardhmen e Kosovës në BE dhe stabilitetin në rajon, i cili, sipas saj, “është i mundshëm vetëm përmes dialogut”. Ajo informoi se BE-ja ka filluar gradualisht t’i heq masat ndaj Kosovës, të cilat janë vënë më 2023.

“Normalizimi marrëdhënieve [me Serbinë] duhet të jetë rruga e vetme për një të ardhme më të sigurt e prosperuese për njerëzit e këtij rajoni. Stabiliteti varet nga dialogu e jo nga konfrontimi”, tha përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme