Berisha: Kërkojmë qeveri teknike! Misioni im mbaron kur shqiptarët të votojnë të lirë

Politikë | 1 vit më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë sot thirrje për qeveri teknike me një agjendë të paracaktuar, që do të ketë në fokus integrimin në BE dhe zgjedhjet e lira.

Në një konferencë për mediet, kryedemokrati kërkoi edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Normalisht, vetëm zgjedhje të parakohshme. Pa diskutim. Qeveri teknike, me një agjendë të përcaktuar: problemet që zgjidhen direkt me integrimin dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo është kërkesa jonë, për të cilën do të luftojmë me mbështetësit tanë dhe miqtë në Europë dhe botë,” deklaroi Berisha.

Duke denoncuar vlefshmërinë e zgjedhjeve të fundit parlamentare si një “farsë elektorale”, “të damkosura ndërkombëtarisht”, kryedemokrati akuzoi aparatin shtetëror për shitblerje të votave, si dhe për përfshirjen e krimit në fushatë. Ai veçoi emrat e katër deputetëve të ardhshëm për të mbështetur pretendimin se gati një e treta e kandidatëve socialistë u bashkërenduan me “bandat”.

“Kampion është natyrisht Sara Mile. Kampion është Arkend Balla. Kampion është Ani Dyrmishi. Kampion është Blendi Xhabafti. Këta të katër së bashku bëjnë rreth 80 mijë vota dhe këta janë vetëm pararoja e kontingjentit të krimit të 28 deputetëve që bandat morën urdhër nga Edi Rama për t’i mbështetur,” tha Berisha.

Për sa i përket pjesëmarrjes në Kuvendin e ri në muajin shtator, ai theksoi se vendimet do të merren nga forumet politike. Sipas tij, në çdo rast opozita do të votojë vetëm ligjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Europian, duke e lënë në dorë të forumeve vendimmarrjen për çështje të tjera.

“Të gjitha do vendosen nga forumet. Por unë, në presupozimin e pjesëmarrjes në parlament, deklarova që ne do votojmë vetëm ato ligje që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në BE. Unë nuk thashë a do marrim apo nuk do marrim [pjesë]. Unë thashë se në qoftë se do marrim do votojmë vetëm këto. Se atë nuk e vendos unë, atë e vendosin forumet”, theksoi ai.

Berisha tha se ka ndërmarrë një betejë personale pas këtyre zgjedhjeve “farsë”, të cilën po e bën “për votën e shqiptarëve”.

“Është betejë e vështirë, por çfarë është arritur? Në rrafshin ndërkombëtar, të arrish të dënosh procesin zgjedhor, ta shpallësh farsë pa u zhvilluar, është arritje. Në dëshpërim, por është arritje e madhe. Këto zgjedhjet, të gjitha partitë simotra tona, i quajtën farsë 10 ditë para se të zhvillohen. Misioni im mbaron ditën kur shqiptarët të votojnë të lirë. Kjo është një betejë që mbyllet me sukses ditën kur shqiptarët të votojnë të lirë. Por me këtë narkoshtet, shqiptarët kurrë, pa u çliruar prej tij, nuk do mund të votojnë të lirë. Dhe në fakt beteja e madhe, lufta e madhe fiton pas kësaj farse,” tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme