Parku Kombëtar i Butrintit tërheq turistë nga e gjithë bota me sitin arkeologjik dhe natyrën përreth
Parku i Butrintit po mirëpret një numër të lartë turistësh gjatë kësaj periudhe pranverore. Vizitorë nga vende të ndryshme të botës po zgjedhin të eksplorojnë sitin arkeologjik dhe natyrën përreth, duke e kthyer Butrintin në një nga destinacionet më të frekuentuara kulturore në jug të Shqipërisë.
Jam në një prej thesareve më të mëdha arkeologjike të Shqipërisë në Parkun Kombëtar të Butrintit, një sit i mbrojtur nga UNESCO, ku historia, natyra dhe kultura bashkohen në një vend të vetëm. Butrinti vazhdon të mirëpresë çdo ditë qindra vizitorë vendas dhe të huaj që vijnë për të zbuluar këtë qytet antik që ka kaluar nëpër shekuj .
“E kishim parë këtë park në internet para se të vinim në Shqipëri dhe menjëherë vendosëm që duhet ta vizitonim. Na ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Ka një natyrë të paprekur dhe vendi është shumë i qetë. Është mahnitëse të mendosh se sa histori fshihet këtu. Do ta rekomandoja me shumë kënaqësi për këdo që viziton Shqipërinë”, tha një turist.
“Kemi ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe ky park ishte një nga arsyet. Lexuam më parë për të dhe na tërhoqi historia dhe natyra që ofron”, tha një tjetër turist.
“Kjo është hera e parë që jemi në Shqipëri dhe që po vizitojmë këtë park. Bëmë kërkimet tona më parë dhe pamë Butrintin që në shtëpi, dhe thamë: këtë duhet ta vizitojmë patjetër. Natyra është e mrekullueshme. Ishte shumë bukur të ecje nëpër park. E gjithë përvoja ishte shumë relaksuese. Lexuam shumë edhe rreth historisë së tij dhe na pëlqeu shumë çdo gjë”, u shpreh një turiste tjetër.
Për vizitorët, Butrinti është si një udhëtim në kohë, por edhe një dëshmi e rëndësishme për historinë tonë që kërkon mbrojtje dhe vlerësim të vazhdueshëm.
Butrinti nuk është vetëm një sit arkeologjik është një bashkëjetesë e rrallë mes historisë dhe natyrës, që e bën këtë vend unik në të gjithë rajonin.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




