Emigracioni- Italia, Danimarka, Austria, Belgjika dhe 5 vende të BE-së, kërkojnë interpretim të ri të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Italia, Danimarka dhe shtatë vende të tjera të BE-së, duan që të ketë një interpretim të ri të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në sfondin e politikës së migrimit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) me seli në Strasburg, është përgjegjëse për respektimin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të nënshkruar nga 46 shtete.
“Ruajtja e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatës është fondamentale”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset.
“Në sfondin e sfidave komplekse të kohës sonë detyra jonë është ta forcojmë Konventën dhe jo ta dobësojmë atë”, theksoi ai.
“Në një shoqëri, kur mbizotëron shteti ligjor, drejtësia nuk duhet të bjerë nën presionin politik”, nënvizoi më tej Berset.
Në një letër të hapur, që u bë publike nga zyra e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, disa vende anëtare të BE-së kërkojnë një debat parimor, lidhur me interpretimin e Konventës së të Drejtave të Njeriut. Shkas për këtë është shqetësimi se konventa nuk është më e mjaftueshme për të reaguar ndaj sfidave aktuale, veçanërisht lidhur me emigrimin.
Kërkesa është nënshkruar nga qeveritë e Italisë, Danimarkës, Polonisë, Austrisë, Belgjikës, Letonisë, Estonisë, Lituanisë dhe Çekisë.
Kritika ndaj vendimeve gjyqësore për emigracionin
Dokumenti në fjalë u publikua pas takimit ndërmjet kryeministres italiane Meloni dhe kryeministres së Danimarkës, Mette Frederiksen në Romë. Të dyja kryeministret ndjekin një politikë të ashpër ndaj emigracionit. Në deklaratën e përbashkët thuhet, se: “Ne duhet të rivendosim ekuilibrin e duhur. Ka ardhur koha për një diskutim, se si konventat ndërkombëtare t’u përshtaten sfidave të kohës sonë”.
Nënshkruesit e deklaratës kërkojnë gjithashtu, “të shohin se si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut i ka zhvilluar interpretimet e veta të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Gjykata në Strasburg së fundi ka trajtuar raste kundër Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë, ku bëhej fjalë për trajtim të kundërligjshëm të emigrantëve. Danimarkës madje iu kërkua që të ndryshojë rregulloren, lidhur me bashkimin familjar. Gjykata gjithashtu ka dënuar disa herë Italinë për trajtimin ndaj emigrantëve.
Në letrën e hapur të nëntë vendeve shprehimisht kërkohet opinion se: “Nëse gjykata në disa raste e ka tejkaluar kuadrin në interpretimin e konventës dhe nëse me këtë e ka ndryshuar ekuilibrin mes interesave që duhen mbrojtur”. Në disa raste është kufizuar aftësia e vendeve për “të marrë vendime politike në demokracitë tona”.
Shtetet e BE-së kërkojnë rregulla të reja për kthimin e emigrantëve
Sipas Agjencisë së BE-së për mbrojtjen e kufijve Frontex, numri i kalimeve ilegale të kufirit në Bashkimin Evropian vitin e kaluar është ulur me 38% në 239.000 raste. Më 2023 hyrjet ilegalisht shënuan numrin më të lartë që prej dhjetë vjetësh.
Megjithatë, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së i kërkuan Komisionit të BE-së në samitin e mbajtur në tetor 2024, rregulla të reja për kthimet e emigrantëve të ardhur ilegalisht. Kësaj i parapriu rritja masive e presionit politik për këtë problematikë në Gjermani, Austri dhe në vende të tjera. DW
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




