Incidenti me anijen e Koresë së Veriut, arrestohen tre zyrtarë

Koreja e Veriut ka arrestuar tre zyrtarë që thuhet se janë përgjegjës për një gabim të madh gjatë lëshimit në det të një anijeje të re luftarake, thanë mediat shtetërore.
Sipas mediave shtetërore, incidenti ndodhi të mërkurën, kur pjesa e poshtme e një shkatërruesi prej 5,000 tonësh pësoi dëmtime, duke e nxjerrë anijen jashtë ekuilibri në momentin e zbritjes në ujë.
Lëshimi i dështuar u ndoq nga afër nga Kim Jong Un .
Ngjarja është cilësuar si një “akt kriminal” nga vetë udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili ka urdhëruar nisjen e një hetimi të plotë mbi shkaqet e aksidentit.
Pasi nisi një hetim , autoritetet arrestuan kryeinxhinierin e kantierit detar, kreun e punishtes së ndërtimit të trupit të anijes dhe zëvendësmenaxherin për çështjet administrative.
Media shtetërore tha se aksidenti u shkaktua nga humbja e ekuilibrit.
Diktatori i Koresë së Veriut e quajti atë një “akt kriminal” dhe tha se “e solli dinjitetin dhe vetërespektin e shtetit tonë në kolaps”, ndërsa u zotua të ndëshkonte ata që do të gjendeshin përgjegjës.
Imazhet satelitore e tregojnë anijen në njërën anë, të mbuluar me mbështjellës të mëdhenj prej mushamaje blu.
Aksidenti ka të ngjarë të ketë ndodhur edhe para një turme të madhe në portin verilindor të Chongjin, duke rritur poshtërimin publik për zotin Kim.
Ai ka urdhëruar restaurimin e anijes përpara një takimi të partisë në pushtet në qershor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




