Turi Çiklistik i Shqipërisë, Manastirliu: Rrisim mbështetjen për sportin

Në Sheshin “Skënderbej”, u çel sot zyrtarisht edicioni i 82-të i Turit Çiklistik të Shqipërisë, një ndër aktivitetet më të rëndësishme sportive të çiklizmit në vend. Në këtë aktivitet marrin pjesë krahas ekipeve shqiptare dhe ekipe të huaja nga vendet e Ballkanit, Evropës, etj. Në garë janë 98 çiklistë nga 14 ekipe ndërkombëtare, të cilët do të garojnë në 5 bashki të vendit deri më 30 maj.
E pranishme në ceremoninë e hapjes ishte Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila vlerësoi këtë aktivitet si pjesë të rëndësishme të përpjekjeve për zhvillimin e sportit dhe promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Turi Çiklistik po zhvillohet në Shqipëri dhe ka përkuar menjëherë pas një evenimenti të madh, të Giro d’Italia, ku Shqipëria u fut për herë të parë në hartën ndërkombëtare të ngjarjeve prestigjioze sportive, me nisjen e madhe që u mbajt në vendin tonë. Ky aktivitet prestigjioz u organizua shkëlqyeshëm edhe falë bashkëpunimit ndërinstitucional mes Federatës së Çiklizmit, bashkive të Tiranës, Vlorës, Durrësit, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera”, u shpreh Manastirliu.
Manastirliu theksoi se mbështetja për sportin është gjithnjë në rritje dhe pjesë e një strategjie afatgjatë.
“Mbështetja për sportin, për infrastrukturën sportive, për të gjitha moshat dhe sportistët elitarë sa vjen dhe po rritet. Në fokusin e punës sonë është rritja e mbështetjes financiare dhe zhvillimi i strategjisë së sportit, që synon të përfshijë sportin në të gjitha moshat, si dhe të mbështesë federatat tona”, tha ministrja.
Edicioni i 82-ti i Rrethit Çiklistik të Shqipërisë përkoi dhe me 100-vjetorin e themelimit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




