Gabriele De Fabritis, triumf kuqezi

Sport | 1 vit më parë

Gabriele De Fabritis është fituesi i etapës së parë të Turit të 82-të çiklistik të Shqipërisë, që ka patur për itinerar Tiranë – Rrëshen – Shkodër me një gjatë 151.7 kilometra. Italiani që përfaqëson Shqipërinë e ka prerë i pari finishin, ndërsa ka patur kohën 3h12’57”, ndërsa shpejtësia mesatare ishte 47.197 kilometra në orë. Dy sekonda pas De Fabritis ka ardhur holandezi Den Koter dhe 19 sekonda pas italiani ka ardhur një tjetër përfaqësues i Shqipërisë, Xhuljo Kamberaj. De Fabritis është mbajtësi i fanellës së verdhë si kryesuesi i renditjes së përgjithshme individuale, si dhe asaj të bardhë si i riu më i mirë i këtij Turi. Në mbyllje të etapës, mes lotësh, Gabriele De Fabritis është shprehur për Radio Televizionin Shqiptar.

“Jam shumë i kënaqur. Pas shumë sforcimeve e sakrificave të fillimit të sezonit, por dhe një pune të madhe në grup me ekipin në Itali ia kemi dalë të ishim fitues sot. Jam me të vërtetë shumë i kënaqur për këtë sukses të parë”

Një etapë që ka nisur me një ceremoni zyrtare në sheshin Skënderbej, atje ku kanë parakaluar 14 skuadrat pjesëmarrëse, të cilët në këtë Tur të 82-të Çiklistik të Shqipërisë kanë sjellë 86 sportistë. Ata janë përshëndetur nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi. E më pas ka nisur gjithçka zyrtarisht nga Tirana. Një etapë e parë me dy finishe të ndërmjetme. Në Berzana ka fituar Ognjen Iliç, kurse në Gocaj, Marko Stankoviç. Me 8 pikë, Ognjen Iliç është fituesi i fanellës jeshile si sprintieri më i mirë i finisheve. Por cila ishte pjesa më e vështirë e etapës? Ja dhe përgjigja e De Fabritis.

“Ka qenë një etapë e vështirë, sepse në një pjesë të madhe të etapës kemi patur erën kundër  që në një pjesë të madhe ka vendosur dhe pedalimin. Mirëpo në metrat e fundit vendosa që të shkëputesha nga ndjekësit dhe ia dola. Mos harrojmë që kishim dhe një kundërshtar si skuadra holandeze me pesë çiklistë të fortë. Por së bashku ia arritëm qëllimit”

Ndërkohë De Fabritis ka patur dhe një mesazh për kundërshtarët e tij, ndërsa janë dhe katër etapa të tjera për të shpallur atë fitues të Turit të Shqipërisë.

“Kundërshtarët janë të shumtë. Por nëse fitova sot do të thotë se funksionoi grupi dhe kjo mjafton”

Etapra e dytë e Turit të 82-të të Shqipërisë do të jetë Shkodër – Elbasan me një gjatësi prej 188.099 kilometra, ndërsa Rrethi Çiklistik ofron emocione të mëdha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme