Gjermani, Francë, Britani dhe SHBA heqin kufizimet për lëshimin e raketave me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina 

Botë | 1 vit më parë

Gjermania dhe aleatë të tjerë ukrainas kanë hequr kufizimet ndaj Kievit për të lëshuar raketa me rreze të gjatë veprimi drejt Rusisë për herë të parë. Lajmi është njoftuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz, dhe vjen pas sulmeve masive ajrore ruse mbi Ukrainë.

Kjo vendim, shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e aleatëve kryesorë, të cilët deri më tani i kanë rezistuar kryesisht kërkesave të Ukrainës për të përdorur armë të furnizuara nga Perëndimi thellë brenda Rusisë.

“Nuk ka më kufizime në distancën e veprimit për armët e furnizuara Ukrainës. As nga britanikët, as nga francezët, as nga ne. As nga amerikanët. Me fjalë të tjera, Ukraina tani mund të mbrohet edhe duke sulmuar pozicionet ushtarake në Rusi, për shembull”, tha kancelari gjerman.

Presidenti rus Vladimir Putin po përballet me presion ndërkombëtar për të pranuar një marrëveshje armëpushimi, përfshirë edhe nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Merz u emërua kancelar disa javë më parë dhe deklarata e tij është në kontrast të fortë me paraardhësin e tij Olaf Scholz, i cili kishte refuzuar vazhdimisht thirrjet e Ukrainës për të hequr kufizimet.

Rusia ka kërcënuar hapur se çdo heqje e kufizimeve për armët me rreze të gjatë veprimi do të thotë luftë me NATO-n. Putini ka paralajmëruar Perëndimin se Moska do ta konsideronte çdo sulm të mbështetur nga një fuqi bërthamore si një sulm të përbashkët – dhe se Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse goditet me raketa konvencionale.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kritikoi ashpër njoftimin e Merz, duke thënë se heqja e kufizimeve ishte “mjaft e rrezikshme”.

“Nëse merren vendime të tilla, ato do të shkojnë absolutisht kundër aspiratave tona për të arritur një zgjidhje politike dhe përpjekjeve që po bëhen brenda kornizës së zgjidhjes”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme