Testimet e 3 mujorit, modelet më të suksesshme, testet me pyetje të kombinuara
Fundi i çdo 3 mujori shoqërohet me stres për nxënësit e arsimit para universitar, pasi gjatë kësaj periudhe atyre u duhet të testojnë njohuritë të marra në të gjitha lëndët.
Për një pjesë të provimeve që kanë zhvilluar, atyre u mbetet të diskutojnë me njëri tjetrin për mënyrën sesi i kanë zgjidhur ushtrimet dhe për notën që pretendojnë të marrin.
“Kemi bërë gjuhën, matematikën, diturinë. Kanë qenë me alternative dhe me shkrim që na zhvillojnë imagjinatën”, tha një nxënëse.
“Kanë qenë shumë të lehta dhe i kam bërë të gjitha por mund të kem bërë edhe ndonjë gabim”, tha një nxënës tjetër.
“Gjuhën jam i sigurt që e kam marrë, matematikën nuk jam dhe aq i sigurt, i kam bërë të gjitha”, tha një tjetër nxënës.
Mësuesja e gjuhës shqipe në shkollën Kosova thotë se testet janë të një niveli mesatar vështirësie dhe se në shumicën e rasteve rezultatet përkojnë me nivelin e ecurisë së nxënësit.
“Sivjet e kam zhvilluar testin dhe mendoj që pritshmëria duhet të jetë pozitive. Të zhvilluarit e një testi duket se bart emocione dhe nxënësit i presin më tepër se ç’ duhet dhe ne përpiqemi që t’jua bëjmë sa më te lehtë. Tek pyetjet me alternativa vë re që janë më të saktë, vështirësia më e madhe janë tek pyetjet e hapura”, u shpreh mësuesja e gjuhës.
Ndërsa mësuesi i matematikës sqaron se testet hartohen sipas nivelit të klasave, duke i përfshirë të gjitha shkallët e vështirësisë dhe se modelet më të suksesshme rezultojnë ato me pyetje të kombinuara.
“Pyetjet që do të ketë testi, formati është i përcaktuar, ka pyetje të cilat janë objektive, ka pyetje me strukturë. Pas testit të parë ne hartojmë një plan përmirësimi“, tha mësuesi i matematikës.
Testet për periudhën e tre mujorit te trete janë ende duke u zhvilluar në të gjithë shkollat e vendit. Ato parashikohet të mbyllen në fillim të muajit qershor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




